Tiranë-Shkup, 6 korrik – Shqipëria prej disa vitesh ka filluar integrimin e pagesave për segmente të caktuara rrugore, të cilat përfshijnë kryesisht rrjetin autostradal dhe kanë kosto për çdo kalim në to.
Një fenomen ky, i cili operohet prej shumë vitesh në vendet evropiane dhe i cili nuk është i panjohur për to.
Megjithatë, shqetësim për drejtuesit e mjeteve në vend ka qenë çmimi i pagesave, i cili shpesh herë është bërë objekt diskutimi si “jo proporcional për gjendjen ekonomike të vendit”.
Të tilla kanë qenë shqetësimet për projektin e parë të një autostrade me pagesë, si Rruga e Kombit, e cila në fraksionin shqiptar paguhet me një tarifë prej 5 eurosh.
Së fundmi, rrjetit i është shtuar edhe një segment, i cili lidh Thumanën me Kasharin, duke lehtësuar trafikun nga veriu. Ky paguhet në shumën e 2.1 eurove dhe nëse merret si i plotë, një udhëtar nga zonat veriore, apo edhe Kosova, duhet të paguajë në tërësi 7.1 euro për të mbërritur në rrugën interurbane Tiranë-Durrës.
Me zhvillimin e një projekti të ri edhe për këtë segment, mund të aplikohet sërish tarifa e pagesës dhe të shtojë kostot.
Ndërkaq, edhe tuneli i Llogarasë, i hapur të premten e 5 korrikut zyrtarisht, do të jetë prej vitit të ardhshëm me një pagesë prej rreth 5 eurosh për kalim.
Pra, drejtuesit shqiptarë të mjeteve dhe udhëtarët e shpeshtë kanë nisur të shqetësohen realisht për shumat që duhet të paguajnë për kalimet në këto segmente dhe çmimet e “kripura” sipas tyre.
Por, si është situata në Evropë dhe rajon?
Duhet sqaruar fillimisht se një sërë vendesh, nuk kanë asnjë kosto pagese për udhëtarët në rrjetet autostradale.
Kështu, Gjermania, Suedia, apo Ukraina, edhe pse kanë një rrjet shumë të zhvilluar rrugor, nuk aplikojnë pagesa për përdorimin e tyre nga mjetet. Njëjtë veprojnë edhe vende me sipërfaqe më të vogla, si Danimarka, Belgjika, apo Holanda.
Një model tjetër, e paraqesin disa vende, kryesisht të bllokut lindor evropian, dhe atij qendror, të cilat kanë zgjedhur të kenë një pagesë fikse vjetore, për përdorimin e pakushtëzuar të rrugëve kombëtare.
Ndër to: Austria e ka tarifën vjetore 93.8 euro, Bullgaria 49, Moldavia 180, Republika Çeke 60, Rumania 28, Sllovakia 50, Sllovenia 110, Zvicra 40 dhe Hungaria 117.
Disa prej këtyre vendeve, ofrojnë po ashtu edhe pulla mujore, nëse nuk dëshirohet të merret një pulë vjetore për pagesa. Madje, disa ofrojnë edhe pulla javore, apo 10-ditore, të cilat kryesisht i shërbejnë më së miri turistëve, të cilët vizitojnë vendin.
Për të kaluar tashmë tek vendet, të cilat aplikojnë tarifa në bazë të rrugëve.
Italia është një shembull i rrahur edhe nga vetë shqiptarët ndoshta.
Në Itali, përdorimi i rrjetit të autostradave kërkon përgjithësisht pagesën e tarifës, qoftë në barriera, qoftë në kabinën e pagesës. Kostoja ndryshon në varësi të menaxherit të autostradës, por për veturat zakonisht është rreth 0.07 euro/km. Megjithatë, ka shumë dallime në bazë të rrugës: një udhëtim nga Roma në Firenze, 265 km, kushton 18.40 euro, ndërsa nga Milano në Venecia, vetëm 238 km, kushton 24 euro.
Taksat në Francë funksionojnë tamam si në Itali, edhe nëse shpesh në vend përtej Alpeve barrierat përdoren direkt në autostradë (në gjysmë të rrugës) dhe më pak në kabinat e tarifave të hyrjes.
Për automjetet deri në 3,5 tonë, tarifa mesatare është 0,09 euro për km (9 euro për 100 km), por kostot mund të ndryshojnë shumë në varësi të rrugës së përshkuar. Për t’ju dhënë një ide, nga Parisi në Marsejë, 756 km, shpenzoni 61.90 euro, ndërsa nga Marseja në Toulouse, 394 km, shpenzoni 34.70.
Për të kaluar në rajon, sa i takon vendeve, të cilat janë pjesë e Bashkimit Evropian.
Rrjeti i autostradave kroate është padyshim më i zhvilluar dhe lidh kryeqytetin Zagreb me pjesën tjetër të vendit, nga kufiri slloven në jug të thellë të vendit. Në Kroaci pagesa mblidhet në kabinën e pagesës.
Gjithashtu në këtë rast, kostoja mesatare mund të ndryshojë në varësi të autostradës së udhëtuar. Për shembull, udhëtimi nga Rijeka në Zadar, 293 km, kushton 19 euro për makinat. Duhet mbajtur mend gjithashtu se kohët e fundit ura për në ishullin Krk u bë falas në vend të (afërsisht) 20 eurove që më parë duhej të paguheshin në kabinën e pagesës së hyrjes.
Edhe në Greqi, autostradat i nënshtrohen tarifave, me pagesë në kabinën e pagesës me para në dorë ose me kartë krediti/debiti. Ashtu si me Francën, çmimet ndryshojnë në varësi të kategorisë së automjetit dhe rrugës së zgjedhur, por automjetet deri në 3.5 tonë shpenzojnë mesatarisht 0.05 euro/km. Për shembull, nga Athina në Selanik, 487 km, shpenzon 31.50 euro.
Për të kaluar te vendet e tjera të rajonit.
Kosova është ndër shtetet, të cilat nuk kërkojnë pagesë për rrjetin rrugor dhe i kanë autostradat me përdorim falas për udhëtarët, qoftë vendore, apo të jashtëm.
Rrjeti rrugor i Bosnjës është kryesisht i lirë, por ka seksione të shkurtra të autostradës me pagesë, megjithëse këto infrastruktura nuk janë shumë të zhvilluara: në të gjithë vendin ka vetëm 108 km autostradë. Për të dhënë një ide mbi çmimet, të cilat mund të ndryshojnë në varësi të rrugës së përshkuar, një udhëtim nga Sarajeva në Zenicë, 51 km, kushton rreth 3 euro, ndërsa nga Sarajeva në Tarçin, 16 km, rreth 1,30 euro.
Serbia përdor gjithashtu pagesën e tarifave të autostradave në kabinat dhe barrierat, megjithëse çmimet janë mjaft të ulëta. Nuk ka tarifë fikse për kilometër, por për të marrë një ide mbi çmimet, rruga Beograd-Nish, 226 km, kushton 950 RSD (8,50 euro), ndërsa nga kryeqyteti në Novi Sad, 66 km, shpenzoni 140 RSD (2.50 euro).
Rrjeti i autostradave maqedonase nuk është shumë i zhvilluar, por ende kërkohet një tarifë, megjithëse shpenzimet janë shumë të ulëta. Për shembull, nga Shkupi në Petrovec, 19 km, një makinë detyrohet të paguajë 0,64 euro, nga Velesi në Gradsko, 30 km, nevojiten 0,96 euro.
Në Mal të Zi ndërkaq, edhe pse deri në vitin 2012 kërkohej blerja e një pulle për përdorimin e rrjetit rrugor, tashmë është plotësisht i lirë. Përjashtimi i vetëm është ai i tunelit të Sozinës, për të cilin kërkohen 2.50 euro për makina dhe 1 euro për mjetet motorike.
Kështu, edhe pse Shqipëria ende ka vetëm dy segmente ku aplikohet pagesa, mund të thuhet se çmimet anojnë më shumë për nga standardi evropian (kur niveli i pagave edhe në aspekt rajonal është më i ulët se disa prej vendeve të tjera), sa nga ai rajonal, me çmimet në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilat janë më të ulëta dhe shpesh ofrojnë sisteme rrugore më të zhvilluara.