Berlin/Paris, 1 nëntor – Bisedimet e kryeministrit Hristijan Mickoski me partnerët ndërkombëtarë përfunduan me konstatimin se është e nevojshme të ulemi, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, sepse, sipas tij, qasja “kaq është” nuk është zgjidhje.
Kryeministri Hristijan Mickoski sot është më optimist se me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë mund të gjendet një gjuhë e përbashkët me Bullgarinë për të kapërcyer pengesat me amendamentet kushtetuese dhe fillimin e negociatave me BE-në, sesa ishte 6 muaj më parë.
Në një konferencë për media, Mickoski tha se pala maqedonase pas takimit joformal me presidentin bullgar Rumen Radev ka pasur strategji për të ndërtuar një narrativë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes së problemit.
Siç theksoi kryeministri, në atë mënyrë kanë biseduar edhe me partnerët ndërkombëtarë dhe bisedimet kanë përfunduar me konstatimin se duhet të ulen, të bisedojnë dhe të gjejnë zgjidhje, sepse qasja “kaq është” nuk është zgjidhje.
Pas një bisede telefonike me liderin e GERB-it, Bojko Borisov, i cili fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare në Bullgari, Mickoski pati ndjesinë se Borisov do të përpiqej të formonte një qeveri me PP-në e Kiril Petrovit dhe një partner tjetër.
Në të njëjtën kohë, kryeministër i qeverisë së re do të përpiqet të jetë pikërisht Borisov, i cili, sipas Mickoskit, në bisedën me të ka thënë se maqedonasit dhe bullgarët janë “kombe vëllazërore”.
Ndonëse asgjë konkrete nuk po ndodh, ai sot shprehet më optimist se mund të gjendet një zgjidhje se 6 muaj më parë, duke theksuar se Qeveria po vepron me argumente që sipas tij nuk janë paraqitur nga paraardhësit e tij.
Ai ishte i vendosur se epilogu eventual i procesit nuk mund të jetë më i keq se situata aktuale dhe meqë ra fjala theksoi se synimi ynë është të mbrohemi nga kushte shtesë në kurriz të interesave kombëtare.
Sipas informacioneve jozyrtare, gatishmëri për ndërmjetësim mes Shkupit dhe Sofjes ka shprehur edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, ndërsa në këtë iniciativë është përfshirë edhe presidenti francez Emmanuel Macron përmes një bashkëpunëtor të ngushtë.