Shkup, 15 korrik – Aleatët ndërkombëtarë janë oksigjen dhe katalizatorë për zhvillimin e shteteve të vogla, në këtë kategori përfshihet edhe Maqedonia e Veriut. Raportet e mira me aleatët ndërkombëtarë janë shenjë treguese që vendi është në rrugë të drejtë e të duhur. Akuzat se ndërkombëtarët e në veçanti ambasadorët përzihen në punët e brendshme të shtetit janë jo vetëm të pabaza por edhe të panevojshme e të pakuptimta. Ambasadorja amerikane, Angela Ageler, thotë se SHBA-ja është partneri strategjik më i rëndësishmi për Maqedoninë e Veriut. E kjo nuk është vetëm deklaratë por edhe veprim praktik që është dëshmuar ndër kohë, shkruan Zhurnal.
Aggeler: SHBA është këtu të mbështesë jo të ndërhyjë
Ambasadorja amerikane Angela Ageler thotë se SHBA-ja është partneri strategjik më i rëndësishmi për Maqedoninë e Veriut. Ageler në një intervistë për Programin 200 në Alsat tha se qëllimi i Shteteve të Bashkuara është mbështetja dhe jo ndërhyrja në çështjet e brendshme të vendit. Ajo theksoi se është e neveritshme që Gjyqësori ka vetëm 2 për qind besim.
Gazetari: Kishim kryeministrin të thoshte se po bëhet praktikë që ambasadorët të ndërhyjnë në çështjet ndërkombëtare të shtetit tonë. A jeni dakord me këtë, që ju ndërhyni?
“Shpresoj se ai nuk e kishte fjalën për mua. Dhe nuk është kurrë qëllimi ynë të ndërhyjmë. Gjithmonë ka qenë shpresa jonë për të mbështetur. Vendimet që merren në Këshillin Gjyqësor, apo sinqerisht, në çdo organ tjetër brenda gjyqësorit, janë vendime vetëm të drejtuesve të këtij vendi. Ne nuk themi se kush duhet të ulet në asnjë gjykatë. Ne nuk themi se kush duhet të jetë anëtar i asnjë këshilli. A është i përhapur korrupsioni brenda gjyqësorit? Po. Kur mbështetja dhe besimi i publikut ndaj gjyqësorit është 2 për qind, kjo është e neveritshme. Kjo është një aktakuzë e procesit”, tha Angela Ageler, Ambasadore amerikane.
SHBA-të dhe BE-ja të interesuara të pastrojnë Ballkanin Perëndimor nga njerëz të korruptuar-
Sipas euroambasadori Dejvid Gir në Maqedoninë e Veriut, fjalët e mira nuk mjaftojnë në luftën kundër korrupsionit, institucionet shtetërore duhet të punojnë së bashku për ta reduktuar vëllimin e korrupsionit, të vendosin ligje dhe rregulla të sjelljes dhe sanksione për sjellje korruptuese, por edhe të zbatohen dhe kryhen këto masa.
Së fundmi, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj politikanëve në Ballkanin Perëndimor lidhur me dyshimet për përfshirjen e tyre në korrupsion. Në maj të vitit 2021, ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u shpall “persona non grata” (person i padëshiruar) për shkak të, siç tha Uashingtoni, përfshirjes në korrupsion të gjerë.
Ndërkaq, më 5 janar 2022, SHBA-ja zgjeroi sanksionet ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, për përfshirje në korrupsion dhe minimin e stabilitetit të Bosnjës dhe rajonit. Në prill të po të njëjtit vit në listë të zezë janë futur edhe Nikolla Gruevski dhe Sasho Mijallkov, dhe kjo është dëshmi se lista e zezë është hapur për të korruptuarit nga Ballkani Perëndimor viteve të fundit.
Kujtojmë që, nga politikanët aktiv në Maqedoninë e Veriut në këtë listë të zezë që veçse kanë qenë më herët janë kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, dhe Lube Boshkovski nga LSDM, por tani këta nuk janë të vetmit. Dhe, nuk do të mbeten vetëm kaq sepse pritet të zgjerohet edhe më shumë pas angazhimit direkt të ekipit me ekspertë të ardhur nga Uashingtoni në Shkup. Ekipit iu shtuan edhe emra të tjerë, Ramiz Merko dhe Koço Angjushev.
Ambasadorja amerikane përçon shpesh porosi që proceset gjyqësore duhet të zhvillohen pa qenë të ndikuara prej jashtë –
Ndërhyrja e personave privatë apo zyrtarëve publikë në proceset gjyqësore nuk duhet të tolerohet nga ata në gjyqësor, nga qeveria apo nga njerëzit e këtij vendi. Ndikimi i jashtëm minon besimin e publikut në institucionet dhe zyrtarët e vendit. Drejtësia duhet të jetë transparente, qytetarët e këtij vendi nuk meritojnë asgjë më pak, thuhet në përgjigjen me shkrim të ambasadores së SHBA-së, Angela Aggeler, ndaj kërkesës së televizionit “Sitel” në lidhje me informacionin e publikuar se “Ambasadorja Aggeler ka vizituar Gjykatën e Lartë me kërkesë të gjyqtarëve që ishin nën presion të ashpër të qeverisë dhe kërkuan mbrojtje nga revanshizmi politik”.
“Ishte kënaqësi të takohesha me Kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarë të tjerë dhe të dëgjoja vërejtjet dhe shqetësimet e tyre. Gjyqtarët në çdo gjykatë dhe në çdo vend duhet të marrin vendime në bazë të ligjit dhe pa ndërhyrje”, pati deklaruar vitin që lamë pas Aggeler.
Gjyqësori në RMV në fokus të ambasadës amerikane në Shkup –
Angazhimi i ambasadës amerikane për ta reformuar gjyqësore po dëshmohet në vazhdimësi. Kujtojmë që, letrën e cila trazoi opinionin dhe tundi pushtetin gjyqësor, ambasadorja amerikane e ka dërguar më 11 prill të vitit që lamë pas. Në të ajo pati shpreh shqetësimin për vendimin e Gjykatës së Apelit – Shkup për kthimin në procedurë të shkallës së parë për rigjykim të disa lëndëve të profilit të lartë.
“Çdo ditë e më shumë jam e shqetësuar dhe e zhgënjyer për shkak të numrit të madh të çështjeve (të profileve të larta) që Gjykata e Apelit i ktheu në procedurë të shkallës së parë për rigjykim. Paaftësia e dukshme e gjykatave për të proceduar me shpejtësi çështjet përmes procedurës gjyqësore dhe transferimin e tyre mbrapa dhe ndërmjet Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ul më tej besimin e ulët që publiku ka tek gjykatat”, thekson ambasadorja Aggeler në letër. Kjo letër është dërguar në adresat e thuajse të gjitha institucioneve vendore disa muaj më parë.
Kësaj, letre të ambasadores amerikane ku shpreh vërejtjet e saj për punën e gjyqësorit më së shumti duhet t’i gëzohen shqiptarët, pasi drejtësia më në fund është nën llupën amerikane, dhe shpresohet që për një kohë të shkurtë. Me fjalë të tjera ambasadorja amerikane Aggeler është e angazhuar denjësisht në luftën kundër korrupsionit dhe pavarësimin e gjyqësorit nga ndikimi politik. Në mënyrë që të krijohen kushte solide për të jetuar secili qytetarë pa dallim e pa diskriminim. /Zhurnal.mk