Do duhej që sa më parë të iniciohet një procedurë e re për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, edhe pse duhen dy të tretat e votave të komuniteteve pakicë. Por, për shkak të deputetëve të Listës Serbe, e cila po i keqpërdor dhe po i përbuz vendet e rezervuara, duhet domosdo të bëhet një referendum gjithëpopullor për një proces të rishikimit dhe ndryshimit të kësaj Kushtetute. Përndryshe, këto vende të rezervuara, të cilat po i shfrytëzon Lista Serbe, do ta kushtëzojnë Kuvendin e Kosovës në çdo aspekt vendimtar.
Kjo Listë Serbe paraqet një shqetësim si element anti-shtet, anti-shqiptar dhe anti-Kosovë, dhe në mënyrë të hapur, përmes deputetëve të saj, po u prin dhe po i bashkëngjitet grupeve kundër shtetit të pavarur demokratik të Kosovës.
Një tolerancë dhe mosrespektim të tillë ndaj shtetit dhe obligimeve ndaj tij nuk e gjen askund në botë, ku shteti i përcakton kriteret dhe krijon kushte për secilin përmes punës dhe veprës njerëzore, në një hapësirë shoqërore ku njeriu mund të jetojë në paqe dhe me dinjitet.
Kosova, në bazë të Pakos së Ahtisarit, ka marrë obligim që në Kushtetutën e vet komuniteteve që jetojnë në këtë vend t’u mundësohen vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Përveç vendeve të fituara në zgjedhje, komunitetet plotësohen me vende të rezervuara, të cilat – 10 vende në total – po i keqpërdor veçanërisht komuniteti serb, prej ditës së parë e deri më sot.
Ky komunitet serb përfaqësohet nga disa parti serbe, por veçanërisht nga Lista Serbe – një parti që është prodhim i politikave dhe diktateve të Serbisë, e cila hyn e del nga Kuvendi sa herë që i teket, duke dhënë informacione dhe llogari te shefi i vet në Beograd, Aleksandër Vuçiq.
Të gjitha organizimet e strukturave paralele serbe që janë shfaqur në komunat veriore të Kosovës janë projekte dhe plane të Listës Serbe, përmes së cilës janë organizuar banda të llojeve të ndryshme kriminale kundër njësive policore të Kosovës, duke ua rrezikuar edhe jetën.
Me fjalë të tjera, Lista Serbe është bërë faktori kryesor i gjithë skandaleve dhe bandave kriminale në veri të Kosovës, që prej momentit të barikadave të para nëpër rrugët kryesore e deri te pikat kufitare. Po ashtu, përmes iniciativave të tyre është bërë edhe djegia e këtyre pikave kufitare.
Gjithashtu, është projektuar edhe plani i urës së Ibrit si simbol i ndarjes. Janë sulmuar disa herë policia e Kosovës edhe me armë zjarri, deri në ditët e fundit, kur pati dhunë edhe ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe ndaj policisë së Kosovës. Me urdhërat e deputetëve të kësaj liste janë sulmuar edhe mediat shqiptare.
Prandaj, Lista Serbe e Vuçiqit nuk e meriton të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës, kur çdo veprim i saj lidhet me organizimin e bandave kriminale në veri të Mitrovicës. Kjo listë është promotore e tensioneve të fundit në tri komunat veriore, ku bandat serbe sulmuan brutalisht Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe mediat shqiptare.
Vazhdimi i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, jo vetëm si faktor destabilizues i këtij institucioni shtetëror, por edhe me prezencën e saj, paraqet rrezikun më të madh që mund t’i kanoset këtij vendi, përmes politikës së diktuar nga Beogradi dhe Vuçiqi.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta shfrytëzojnë shansin e fundit që të mos e mbështesin asnjë anëtar të Listës Serbe, por ta mbështesin deputetin serb Nenad Rashiq për nënkryetar të Kuvendit. Ai, edhe sipas ligjit, nuk përbën shkelje kushtetuese, sepse e përfaqëson komunitetin serb dhe është njëri ndër ata që ka kontribuar e ka qenë në vazhdimësi në përkrahje të shtetit të pavarur të Kosovës.