Në Durrës po vijon me intensitet puna për fazën e dytë të shëtitores së Plazhit deri tek Ura e Dajlanit, me gjatësi 1 kilometër.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga punimet që po kryhen në këtë investim të rëndësishëm që i shërben qytetarëve dhe turistëve të shumtë që pushojnë në bregdetin e Durrësit.
Rama theksoi se krahas shëtitores do të kryhet edhe zgjerimi i brezit të rërës duke krijuar më shumë hapësirë në dispozicion të pushuesve.
Rehabilitimi i shëtitores bregdetare të plazhit të Durrësit do të realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe do të financohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Krahas ndërhyrjes në shëtitore, projekti parashikon rehabilitimin e 41 fasadave të pallateve, të ndërtuara në vijën e parë të bregdetit të kësaj zone.