Shpërthim në fabrikën ushtarake “Krusik” në Serbi

nga Xh M

Shtatë persona janë lënduar si pasojë e një shpërthimi që ndodhi sot(e premte) në mëngjes në fabrikën ushtarake shtetërore “Krusik Holding Corporation” në qytetin e Valjevës të Serbisë.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta, përfshirë edhe nga eksperti i sigurisë nga Instituti “Octapus” në Prishtinë, Agim Musliu, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook, e ka ndërlidhur këtë incident me problemet e thella të sistemit shtetëror serb.

Sipas Musliut, shpërthimi në “Krusik” është simbolik për gjendjen aktuale në Serbi, ku ai thotë se regjimi i presidentit Aleksandar Vuçiq po përballet me skandale, korrupsion endemik dhe autokraci.

Ai rikujton se kjo kompani ka qenë më parë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për veprimtari të dyshimta dhe të jashtëligjshme.

“Në vitin 2019 u bë e ditur nga një punonjës i brendshëm se pajisjet ushtarake të prodhuara nga Krušik kanë përfunduar deri në duart e terroristëve të ISIS-it”, shkruan Musliu, duke shtuar se tregtia e armëve në Serbi është një industri fitimprurëse, e cila, sipas tij, është e lidhur me struktura të korruptuara deri në nivelet më të larta të pushtetit në Beograd.

Fabrika “Krusik” është një nga prodhuesit më të mëdhenj të armëve në Serbi dhe ka qenë shpesh subjekt hetimesh dhe raportimesh për eksport të dyshimtë të armëve në zona të konfliktit.

Autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë detaje zyrtare mbi shkaqet e shpërthimit dhe gjendjen e të lënduarve.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More