Shqipëria kalon me sukses raundin e pestë të vlerësimit të GRECO-s për parandalimin e korrupsionit

nga D. V.

“Shqipëria shënon progres të rëndësishëm në forcimin e integritetit dhe luftën kundër korrupsionit”, thuhet në raportin e GRECO-s.

Raporti i raundit të pestë i vlerësimit të GRECO-s u miratua në seancën e 99-të plenare në Strasburg, ku trajtoi “Parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e integritetit në qeverisjen qendrore dhe institucionet e zbatimit të ligjit”.

Në raport theksohet se janë adresuar mbi 75% e rekomandimeve për qeverisjen qendrore dhe institucionet e zbatimit të ligjit (Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit), organ i Këshillit të Evropës (KiE).

Rezultati i Shqipërisë u vlerësua si i shkëlqyer nga presidenti i GRECO-s, David Meyer, gjatë seancës plenare.

Shqipërisë iu lanë për zbatim 24 rekomandime në lidhje me qeverisjen qendrore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit. Nga këto rekomandime, 18 janë realizuar plotësisht, ndërkohë që pjesa tjetër janë pjesërisht të zbatuara dhe vetëm një mbetet ende për t’u zbatuar.

Gjithashtu, në takim morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve kryesore që kanë kontribuar dhe janë angazhuar në të dyja fazat e raundit të vlerësimit.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni theksoi se ky vlerësim nuk është thjeshtë një tregues teknik, por një dëshmi konkrete e hapave që kemi ndërmarrë për të forcuar transparencën, llogaridhënien dhe integritetin e institucioneve tona.

Integriteti nuk është një pikëmbërritje fundore, por një standard për t’u riafirmuar çdo ditë. Po, kemi sfiduar skepticizmin dhe kemi dëshmuar se Shqipëria mund dhe do të bëjë hapa të pakthyeshëm drejt integritetit dhe shtetit të së drejtës. Ky progres është një angazhim i shtuar që na detyron të punojmë edhe më fort”, tha ministrja Pirdeni.

“Shqipëria ka bërë përparim sinjifikativ në zbatimin e rekomandimeve të raundit të V-të të GRECO-s lidhur me parandalimin e korrupsionit në qeverisjen qendrore dhe organet ligjzbatuese. Përgëzoj Shqipërinë për këtë arritje të rëndësishme, e cila është pjesë e agjendës reformuese të vendit. Çdo luftë e suksesshme kundër korrupsionit fillon me parandalimin e tij”, tha gjatë fjalës, Gianluca Esposito.

– Për çfarë jemi vlerësuar pozitivisht, në terma konkretë?

Pas pilotimit në vitin 2020 vetëm në Ministrinë e Drejtësisë, mekanizmi i Planeve të dedikuara të Integritetit është shtrirë tashmë në 11 ministri dhe 6 ministra shteti, të cilët raportojnë çdo 6 muaj për zbatimin e tij.

Miratimi i Ligjit të ri “Për Policinë e Shtetit” në korrik 2024, shënon një hap të rëndësishëm në përmbushjen e rekomandimeve kyçe të GRECO-s, të cilat forcojnë angazhimin për një polici me standarde evropiane, e aftë t’u përgjigjet me profesionalizëm sfidave aktuale të sigurisë dhe rendit publik.

Raporti vlerëson arritjen e Shqipërisë në përmbushjen e rekomandimit për qëndrueshmërinë e drejtuesve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë mbajtur detyrën për një periudhë të gjatë, pavarësisht ndryshimeve politike në vend.

GRECO vlerëson se rekomandimi për procesin e vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit është plotësuar, duke përfshirë kontrolle të rregullta të integritetit gjatë ngritjes në detyrë.

Një avancim pozitiv është zbatimi i ligjit për sinjalizuesit dhe krijimi i mekanizmave për funksionimin e tyre në Policinë e Shtetit. Rreth 8780 punonjës policie janë trajnuar për sinjalizimin.

Sakaq është përmbushur rekomandimi për kufizimet pas largimit nga detyra të punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë detyrim të raportojnë si dhe vlerësohet rregullimi i shërbimeve shtesë me pagesë nga Policia e Shtetit.

Raporti vlerëson forcimin e integritetit në strukturat policore përmes trajnimeve sistematike mbi etikën dhe sjelljen profesionale.

Në kuadër të transparencës është krijuar një regjistër i posaçëm në Policinë e Shtetit për donacionet, dhuratat dhe sponsorizimet, duke u bërë publik në internet për të garantuar llogaridhënie të plotë, një tjetër rekomandim në kuadër të transparencës që konsiderohet i zbatuar në raport.

Raporti citon se Shqipëria e përmbyll këtë raund vlerësimi dhe nuk ka nevojë të raportojë më në GRECO, por mund të dërgojë përditësime në GRECO për ecurinë e zbatimit të rekomandimeve.

Zbatimi i rekomandimeve të GRECO-s, është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë dhe përmbyllja e këtij raundi vlerësimi shton një tjetër detyrë shtëpie të kryer në kuadër të procesit të negociatave.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More