Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, gjatë seancës plenare të ditës së sotme, ngriti shqetësimin për mungesën e Shqipërisë në Davos, në një moment kur liderët botërorë po diskutojnë për paqen dhe sigurinë globale.
Bardhi theksoi se, sipas njoftimit të fundit nga Shtëpia e Bardhë, Shqipëria nuk është pjesë e 22 shteteve themeluese të Bordit të Paqes, ndërsa Kosova është përfshirë.
Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se po e përdorin ftesën e presidentit Donald Trump për të qenë pjesë e Bordit të Paqes për interesa personale dhe politike.
Gazment Bardhi: Opozita nuk ka asnjë dilemë për marrëdhënien strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA. Çdo iniciativë që synon paqen ka pasur dhe do të ketë mbështetjen tonë. Ndryshe nga Edi Rama, ne nuk i mbajmë marrëdhëniet strategjike peng të manovrave politike dhe halleve personale të kryeministrit. Kryeministri e përdor shtetin dhe aleatin tonë strategjik si mburojë politike për interesa personale. Të gjitha këto akrobaci, me këtë urgjencë të stisur dhe të panevojshme, kanë një synim të vetëm: të mbulojnë mungesën e Edi Ramës sot në Davos. Sapo ka dalë njoftimi nga Shtëpia e Bardhë se kush janë shtetet themeluese të Bordit të Paqes. Janë 22 shtete. Është Kosova, për fatin e mirë të kombit shqiptar, ndërsa mungon Shqipëria për faj të Edi Ramës. Pse sot, kur liderët botërorë diskutojnë për paqen në Davos, Edi Rama zgjedh të jetë këtu si avokat i Veliajt, Agasit dhe Ballukut? Kërkon të bëjë politikë me një akt që duhet të ishte kombëtar dhe institucional. Ne do të votojmë pro marrëveshjes.