Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino iu drejtua sot me një fjalë Kursit të Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Kolegjin Shqiptar të Mbrojtjes dhe Sigurisë, një program i listuar në NATO që bashkon udhëheqës të lartë nga Shqipëria, rajoni dhe vendet e NATO-s.
Në prezantimin e saj, zëvendësministrja Fino u ndal te rrugëtimi i Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Po ashtu, ajo u ndal te siguria rajonale dhe nënvizoi nevojën për bashkëpunim më të gjerë në Ballkanin Perëndimor.
Fino vlerësoi se këto janë elementë kyç për një Evropë paqësore, të qëndrueshme dhe me vizion të qartë.
Kolegji i Mbrojtjes dhe i Sigurisë vjen nga përvoja e arsimit tonë ushtarak ndër vite, ajo e vendeve baltike dhe e shumë vendeve të NATO-s, tashmë si strukturë më vete arsimore brenda Forcave tona të Armatosura.
Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, që zhvillohet në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, ka si qëllim aftësimin e ushtarakëve dhe civilëve të niveleve strategjike në Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura dhe institucionet e tjera të sigurisë së vendit dhe atyre analoge të vendeve të tjera.




