Shkup, 8 janar – Veprimi i Universitetit të Tetovës ishte i çuditshëm për faktin se pezulluan Grubin nga puna vetëm përshkak të mungesës së tij. Nga ana tjetër, koalicioni VLEN por edhe Forumi për Ndryshime në Arsim kishin bërë apel të jashtëzakonshëm që Grubit t’i ndërpritet marrëdhënia e punës për shkak se profesioni i mësimdhënies nga vepra për të cilën akuzohej kishin dallime të mëdha. Prandaj, në vend se UT të reflektonte në këto thirrje ata paskan vendosur të shtirren parimor në prezencën apo mungesën e profesorëve që ligjërojnë në këtë Universitet, shkruan Zhurnal.
Vatra e diturisë bëhet shembull jo i mirë, pezulloi Grubin nga puna jo për korrupsionin e listën e zezë por vetëm pse ky i fundit mungoi në punë –
Arratisja e ish zëvendëskryeministrit nga vendi bëri bujë të madhe, edhe pse Grubi e paralajmëroi vetëm si vizitë private por ja që vizita e tij po del të jetë e gjatë e pafund. Artan Grubi menjëherë pasi u fut në listë të zezë, përshkak të ndikimit të tij në gjyqësor në lidhje me rastin e Sasho Mijallkov, figura e tij mori tatëpjetën. Dy ditë pas kësaj Prokuroria hapi lëndë të veçantë duke ngritur dyshimet për përfshirjen e Grubit në korrupsion masiv bashkë me bashkëpunëtorin e tij, Përparim Bajrami.
Korrupsionin e kishin bërë duke shfrytëzuar si mekanizëm drejtorin e Lotarisë Shtetërore, me të cilën udhëhiqte Bajrami. Shtëpitë e Grubit e Bajramit janë bastisur por që asnjëri nuk janë gjetur, përshkak se një ditë më parë kishin lëshuar vendin.
Aktualisht, Artan Grubi ndodhet në arrati. Por, tentimet e tij ishin që të vazhdojë të punojë si ligjërues në Universitetin e Tetovës. E kundrejt këtij vendimi nuk qëndruan të heshtur as oponentët e tij politik por as Forumi për Ndryshime në Arsim të cilët njëzëri kërkuan largimin e Grubit nga tempulli i dijes, sa ma larg Universitetit të Tetovës.
Reagimet e VLEN-it dhe FNA-së, UT nuk i mori fare parasysh –
“Universiteti i Tetovës të mbajë larg Artan Grubin të mbrojnë studentët nga ky person i futur në listë të zezë. I korruptuar, që ka keqpërdorur pozitën e tij nga shërbyes publik është shndërruar në shërbyes të Mijallkovit. Studentët janë e tashmja dhe e ardhmja e këtij vendi. Ata kanë të drejtë të edukohen dhe të formohen nga figura që janë shembuj të ndershmërisë, profesionalizmit dhe integritetit. Bedeli i Ali Ahmetit, Artan Grubi nuk mund të jetë një udhërrëfyes për të rinjtë e këtij vendi“, reagim nga koalicioni VLEN që nuk u përfill nga UT.
Forumi për Ndryshime në Arsim ngjashëm pati kërkuar largimin nga auditorët e Universitetit të Tetovës ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Kërkesa e forumit vjen pas përfshirjes së Grubit në listën “Non Grata” të SHBA-së.
Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u detyrua të tërhiqej nga çdo funksion shtetëror dhe politik. E pas këtyre ngjarjeve i kërkohej të mos ligjërojë më në universitet. Sipas Forumit për Ndryshime në Arsim, Artan Grubi ka shkelur çdo parim të ndershmërisë dhe prezenca e tij në radhët e profesorëve komprometon vlerat themelore të integritetit akademik.
„Forumi për Ndryshime në Arsim në Maqedoninë e Veriut vlerëson se me ligjërues si Artan Grubi, mesazhi që u dërgohet studentëve është se ata mund të jenë të suksesshëm vetëm nëse shkelin mbi çdo vlerë“, kanë reaguar nga FNA.
Pra ngjashëm sikurse VLEN edhe FNA kanë kërkuar largimin e Grubit nga UT për arsye shumë objektive, të qarta e me peshë të rëndësishme, por ja që Grubi i paska pasur rrënjët thellë në këtë universitet.
Çfarë vendosi UT për këtë çështje?
Universiteti i Tetovës ka nisur procedurën ligjore për shkarkimin nga puna të Artan Grubit, i cili mban vendin e punës asistent profesor në Fakultetin Juridik, drejtimi i Gazetarisë. Sipas Safet Emrulit, dekan në Fakultetin Juridik, Artan Grubi, kishte pezulluar vendin e tij të punës shkaku i ushtrimit të funksionit publik edhe atë deri në muajin gusht të këtij viti, kur edhe është kthyer në punë, megjithatë, mungesa prej disa ditësh e tij pa dhënë sqarim nënkupton marrjen e masave ndaj tij.
“Prej javës së kaluar, personi i apostrofuar, nuk është paraqitur në vendin e punës që d.m.th nuk i ka përmbushur detyrimet që i ka nga Ligji për marrëdhënie pune dhe Ligji për arsimin e lartë. Ne kemi proceduar rastin sipas dispozitave ligjore dhe kemi nisur procedurën për masa adekuate sipas ligjit. Shumë shpejt do të njoftoheni për vendimin që do sjellim si universitet”, tha Safet Emrulit, dekan në Fakultetin Juridik.
Kjo lë për të kuptuar që UT ka ruajtur integritetin e Grubit dhe arsyen e shkarkimit të tij e ka artikuluar sikurse arsye mungese, derisa nga ana tjetër kanë pasur një varg arsyetimesh që Grubi nuk e ka vendin aty. Por, fatkeqësisht kjo është shenjë që akoma institucionet arsimore janë të kapura, akoma politika ka ndikim në këto vende ku aspak nuk duhet të ketë.
Institucionet arsimore të politizuara prodhojnë analfabet që janë të dëmshëm për progresin e vendit. Prandaj, sa më larg politika duart nga institucionet arsimore në mënyrë që ata ta bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet. /Zhurnal.mk