Sindikata e Policisë i drejtohet Avokatit të Popullit për monitorimin e të drejtave të zyrtarëve policorë të arrestuar për rastin e Agon Zejnullahut

nga L. M

Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) njofton se në cilësinë e përfaqësimit të interesave dhe të drejtave të zyrtarëve policorë, i është drejtuar zyrtarisht Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, me kërkesë për përfshirje aktive në monitorimin dhe vlerësimin e të drejtave të pesë zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim lidhur me rastin e ndodhur në Lipjan, ku ka vdekur qytetari Agon Zejnullahu.

Gjykata Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan më 9 korrik 2025  ia ka caktuar paraburgimin për një muaj rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, të cilët dyshohen për vrasje nga pakujdesia të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan.

Përmes kësaj kërkese zyrtare, SPK-ja thotë se ka theksuar rëndësinë e: Mbikëqyrjes së respektimit të të drejtave themelore të të ndaluarve; Vlerësimit të proporcionalitetit të masës së ndalimit, ku SPK konsideron se masa e ndalimit ka qenë e panevojshme dhe se kanë ekzistuar mundësi për masa më të arsyeshme; Parandalimit të stigmatizimit publik dhe përdorimit të gjuhës paragjykuese ndaj zyrtarëve policorë; Garancisë për një proces të drejtë dhe të paanshëm ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sindiktara thotë se ka qenë aktive dhe e pranishme pranë kolegëve të ndaluar dhe familjeve të tyre.

“Kryetari i Sindikatës, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar familjet e pesë zyrtarëve policorë të ndaluar, duke ju shprehur përkrahje të plotë institucionale, morale dhe juridike. Po ashtu, është zhvilluar një takim në Stacionin Policor në Lipjan për të informuar dhe bashkëbiseduar me kolegët lidhur me zhvillimet dhe për të ofruar mbështetje konkrete”, thuhet në reagim.Në mbrojtje të integritetit profesional të zyrtarëve policorë, Sindikata njofton se ka bërë reagimin zyrtar në televizionin publik RTK lidhur me rastin e ndodhur, duke kërkuar nga të gjithë akterë vendor institucional dhe mediatik që të kenë një qasje të paanshme, profesionale dhe të balancuar në pasqyrimin e ngjarjes.

“Gjithashtu, SPK u bën apel ish-eprorëve dhe ish-zyrtarëve policorë, të cilët janë tashmë të pensionuar ose për arsye të ndryshme nuk janë më aktivë në kuadër të Policisë së Kosovës, që në paraqitjet e tyre publike në media të shkruara apo elektronike, të jenë të kujdesshëm, të saktë dhe profesionalë në deklaratat e tyre. Ftojmë që çdo prononcim të bëhet në përputhje me Ligjin për Policinë e Kosovës, rregulloret dhe udhëzimet administrative të PK-së, duke pasur parasysh se fjala e tyre ka peshë dhe ndikim në opinionin publik dhe në imazhin e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sindikata thotë se nuk paragjykon rrjedhën e drejtësisë, por është obligim i tyre të kërkojë që ndaj çdo zyrtari të Policisë së Kosovës të ketë trajtim të drejtë, human dhe ligjor.

“SPK rikujton se nuk ndërhyn në procesin hetimor dhe nuk paragjykon rrjedhën e drejtësisë, por është e obliguar të kërkojë që ndaj çdo zyrtari të Policisë së Kosovës të ketë trajtim të drejtë, human dhe ligjor, në përputhje me të gjitha standardet vendore dhe ndërkombëtare. SPK – gjithmonë në mbrojtje të të drejtave të zyrtarëve policorë”, thuhet në fund.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht mbi vendimin e Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit, Dosjen e Prokurorisë dhe deklarimin e të dyshuarve në Prokurori.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More