Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës ka thënë se situata e Kosovës me shtetin palestinez është krejtësisht ndryshe, teksa ka përsëritur se nuk ka ndryshuar qëndrim për shtetësinë e Kosovës.
Spanja është një prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian – bashkë me Qipron, Greqinë Sllovakinë dhe Rumaninë – që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.
Ky rajon ka pasur disa përpjekje të pasuksesshme që të ndahet nga Spanja, ndërsa Madridi zyrtar e ka kundërshtuar ashpër këtë lëvizje.
“Situata në Palestinë është ndryshe. Njohja e shtetit të Palestinës nuk prek në integritetin territorial të Izraelit, pasi ai territor nuk ka qenë asnjëherë ligjërisht pjesë e shtetit të Izraelit”, ka thënë Elena Aljarilla Cortezon, këshilltare për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Spanjës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Sipas saj, vendimi i marrë më 28 maj, për të njohur zyrtarisht shtetësinë e Palestinës, është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat janë detyruese, pasi të miratohen.
Çështja e njohjes së Kosovës nga Spanja është diskutuar në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, më 27 maj në Bruksel.
Disa burime i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se në këtë pikë ka pasur grindje të hapur ndërmjet palëve nga Gjermania dhe Spanja.
Derisa Gjermania ka qenë “shumë bindëse” për njohjen e Kosovës, “Spanja ishte në mbrojtje, duke argumentuar se Kosova nuk ishte në agjendë”.
Në linjë me Spanjën, shtetësinë palestineze e ka njohur të martën edhe Norvegjia.
Irlanda do të veprojë njëjtë, më vonë gjatë ditës.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë në mëngjes se vendi i tij do ta njohë shtetësinë palestineze, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e tij.
Ai ka thënë se Spanja nuk do të njohë asnjë ndryshim të kufijve të përcaktuar më 1967, përveç nëse pajtohen palët.