Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, iu përgjigj sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike kritikave të opozitës lidhur me projektligjin e ri “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, të depozituar nga qeveria për shqyrtim dhe votim në Parlament.
Deputetët e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Saimir Korreshi, shprehën shqetësime se drafti parashikon një proces të ngjashëm me vetingun për diplomatët, duke hapur sipas tyre rrugën për politizimin e shërbimit diplomatik dhe për emërime jashtë karrierës.
Deputeti Bylykbashi theksoi se rivlerësimi i gjithë trupës diplomatike mund të krijojë boshllëqe në sistem dhe të rrisë nevojën për rekrutim nga jashtë shërbimit të karrierës.
Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi kuotat për diplomatët që vijnë nga jashtë sistemit dhe mbi rrezikun e kontrollit politik të një sektori që, sipas tij, i ka rezistuar politizimit.
Në përgjigje, ministrja Spiropali sqaroi se projektligji nuk parashikon veting, por një proces rivlerësimi profesional, të ngjashëm me praktikat rutinë që aplikohen për nëpunësit publikë.
“Qëllimi nuk është largimi i diplomatëve nga sistemi, por t’u jepet mundësi, përmes rivlerësimit, të kalojnë në një fazë kualifikimi profesional. Do të ketë dy mundësi rivlerësimi dhe procesi do të zhvillohet brenda kuadrit ligjor”, u shpreh Spiropali.
Ministrja theksoi se projektligji synon modernizimin e shërbimit të jashtëm dhe rritjen e sigurisë juridike, duke shfuqizuar ligjin e vitit 2015 për shërbimin e jashtëm dhe ligjin e vitit 1998 për ushtrimin e funksioneve konsullore, të cilat sipas saj nuk i përgjigjen më realitetit aktual.
Në debat u trajtua edhe çështja e Akademisë Diplomatike.
Deputeti Korreshi vuri në pikëpyetje funksionimin e saj dhe praktikat e ndjekura në vendet europiane.
Ndërsa ministrja Spiropali argumentoi se Akademia Diplomatike aktuale nuk është në nivelin e kërkuar dhe se modeli i propozuar bazohet në praktikat e vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë vendet baltike.
Sipas saj, projektligji i ri rregullon më qartë procesin e emërimit dhe përfundimit të mandatit të drejtuesve të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore, forcon kriteret profesionale për rekrutimin e diplomatëve të karrierës dhe përcakton më qartë përfshirjen e personave jashtë karrierës diplomatike në shërbimin e jashtëm.