Spiropali: Lufta kundër korrupsionit, sfidë me të cilën përballet e sotmja jonë e përbashkët

nga D V

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, tha sot se “lufta kundër korrupsionit është një nga sfidat më serioze me të cilat përballet e sotmja jonë e përbashkët”.

E pranishme në Forumin Rajonal mbi Mirëqeverisjen dhe Luftën Kundër Korrupsionit, që po zhvillohet sot në Tiranë, Spiropali vlerësoi rolin ekuilibrues dhe balancues të pushtetit gjyqësor.

“Ka ndodhur këtu kur prokurorët e përgjithshëm të këtij vendi shiheshin si vartës, trajtoheshin si kundërshtarë dhe luftoheshin si armiq. Ndodhte kjo kur njerëzit e gjyqësorit silleshin si despotë të pavarur nga ligji, me përgjegjësi vetëm ndaj një grushti njerëzish të politikës që nuk e shikonin, në vend që t’i hetonin. Pas shumë dilemash sot askush në sallonin e politikës nuk ka imunitet, amnisti, nuk ka bunker ta shpëtojë nga e shkuara dhe përballja me drejtësinë, sa herë ajo është e nevojshme”, u shpreh ajo.

Spiropali theksoi se tashmë askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia.

“Tashmë ka një perceptim për shtrirjen e metastazave të korrupsionit në Shqipëri, një nga sfidat më serioze me të cilat përballet shoqëria jonë sot, korrupsionin, plagë e paadresuar për shërbim përfundimtar. Sot askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Mbështes  organet e reja të pavarura të drejtësisë për punën e bërë. Beteja e karrigeve në emër të karriges është shfaqja me e shëmtuar që duhet tejkaluar”, tha ajo.

“Presidenti Biden e ka cilësuar korrupsionin si një kërcënim për sigurinë kombëtare të vetë SHBA-së. Korrupsioni është një plagë e paadresur për shërim përfundimtar, sepse ai është i pambarimtë, por që nuk gre lart ujë, por rrëzon poshtë vetë të ardhmen tonë.

Përgëzoj organet e drejtësisë që me kahun e duhur kanë mundur të lëvizin ujërat e ndenjura nga tradita e pandëkueshmërisë”, tha Spiropali.

Spiropali tha se, “Komisioni i posaçëm i Kuvendit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për “Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian” është pjesë e filozofisë politike se asnjë sakrificë nuk është e tepërt, asnjë akt nuk do të lihet mangut për të garantuar drejtësi të standardit më të mirë evropian për qytetarin shqiptar, si një nga shtigjet e duhura drejt integrimit evropian të vendit.”

Sipas saj, “punën e komisioneve të posaçme, janë dy të tillë në proces, e konsiderojmë si një vlerë të shtuar, njëlloj si dhe të komisioneve të përhershme të Kuvendit, apo Këshillit Kombëtar tē Integrimit, për mbështetjen dhe avancimin e proceseve integruese, reformave, të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.”

Ajo premtoi përkushtim në rritjen e mbështetjes politike e parlamentare për institucionet e pavarura dhe të kontributit të tyre në luftën kundër korrupsionit e pandëshkueshmërisë.

“Parandalimin e korrupsionit po e bëjmë gjithashtu pjesë integrale të procesit legjislativ. Kuvendi do të fillojë së shpejti aplikimin e Metodologjisë së Kontrollit Postlegjislativ dhe Metodologjinë për vlerësimin parandalues për korrupsion në procesin legjislativ.
Aplikimi i këtyre praktikave, jo vetëm do të kontribuojë për modernizimin e procesit legjislativ dhe rritjen e efekteve pozitive të tij në jetën e vendit, por edhe do të pajisë ligjvënësit me më shumë njohje, mundësi dhe instrumenta për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Spiropali.

Ky është një mision, vijoi ajo, që ka nevojë për aleancën me një seri të gjatë aktorësh dhe faktorësh politikë dhe publikë, për një rreshtim të mençur e të sigurtë në të njëjtin front edhe të zërave të ndryshëm, duke përfshirë edhe shoqërinë civile.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More