Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti në takim kryetarin e Komisionit për Politikat e Bashkimit Europian të Dhomës së Deputetëve të Italisë, Alessandro Giglio Vigna, si edhe anëtarë të Komisionit që e shoqërojnë në vizitën zyrtare në Shqipëri.
Kryetarja Spiropali vuri në dukje bashkëpunimin e shkëlqyer dhe Partneritetin Strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, bazuar në marrëdhëniet historike, njerëzore, ekonomike dhe kulturore intensive, dhe angazhimin e të dy vendeve për avancimin e këtij Partneriteti.
Spiropali shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të Italisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe pas mbajtjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare në 15 tetor dhe fillimit të negociatave për grup-kapitujt e parë, “Themeloret”.
Shqipëria po përgatitet për mbajtjen e Konferencës së Tretë brenda vitit 2024 dhe fillimin e negociatave edhe për grup-kapitujt e tjerë.
Spiropali vuri në dukje se Shqipëria ka përcaktuar anëtarësimin në BE brenda vitit 2030 si një objektiv strategjik kombëtar dhe nënvizoi se, me mbështetjen edhe të Italisë, ky objektiv ambicioz do të bëhet plotësisht i realizueshëm.
Marrëdhëniet intensive parlamentare, të cilat u rikonfirmuan edhe gjatë takimit në Romë me kryetarin e Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontana, janë një ndër korsitë më të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh. Mbështetur edhe në Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Dhomës së Deputetëve, ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në mbështetjen e Kuvendit në lidershipin e procesit të negociatave të anëtarësimit.
Kryetarja e Kuvendit, Spiropali dhe kryetari i Komisionit Vigna dhe anëtarët e delegacionit biseduan edhe për aspekte të bashkëpunimit ekonomik, kulturor mes Shqipërisë dhe Italisë si edhe kontributin dhe partneritetin për mbrojtjen e paqes dhe mbështetjen e Ukrainës.