Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se “vijon të jetë e hapur thirrja për aplikime në kuadër të Programit Kombëtar të Strehimit Social 2025-2026”.
Në një postim në rrjete sociale Gonxhja theksoi se “bashkitë kanë mundësinë të përfitojnë financime për projekte që përmirësojnë cilësinë e jetesës dhe ofrojnë siguri për qytetarët. Afati i aplikimit është deri më 31 janar 2025”.
Gonxhja ndau gjithashtu një video me pamje nga rehabilitimi i 24 banesave në Vaun e Dejës, falë investimeve të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Këto 24 familje në nevojë kanë përfituar përmirësim të kushteve në banesat e tyre në kuadër të Programit Kombëtar të Strehimit Social për vitin 2024.
Banorët që kanë përfituar banesat u shprehën në videon e publikuar nga Gonxhja se janë të kënaqur me përmirësimin e kushteve në shtëpitë e tyre.
Ky program mbështetet nga fondet e MEKI-së, të cilat i transferohen bashkive që aplikojnë çdo vit për të përfituar financime në projekte që përmirësojnë cilësinë e jetesës dhe u japin qytetarëve siguri dhe dinjitet.