Tabaku: Integrimi në BE jo proces me dyer të mbyllura, kërkon diskutim gjithëpërfshirës

nga D V

Kryetarja e komisionit të Çështjeve Europiane, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku u shpreh sot se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian po zhvillohet në një mënyrë të mbyllur dhe të bunkerizuar, duke injoruar bizneset dhe shumicën e shqiptarëve.

Gjatë seancës dëgjimore me Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Tabaku theksoi se deri më tani, i vetmi kriter i përmbushur është ai gjeostrategjik, ndërsa kriteret e tjera mbeten të papërmbushura dhe kërkojnë një analizë të thellë dhe një diskutim publik gjithëpërfshirës.

“Procesi i integrimit nuk mund të mbështetet vetëm në pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë. Është jetike që bizneset, shoqëria civile dhe qytetarët të përfshihen në këtë proces. Mbajtja e këtij procesi me dyer të mbyllura është një tjetër tregues i mungesës së transparencës nga ana e qeverisë”, deklaroi Tabaku.

Sipas saj, diskutimet për grupkapitujt kyç, si ai i tregtisë së jashtme, janë të një rëndësie kritike për nxitjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Megjithatë, qeveria vazhdon të mbajë një qasje të mbyllur, duke lënë jashtë aktorët kryesorë të këtij procesi. Bizneset shqiptare, të cilat janë motori i ekonomisë, nuk janë përfshirë në asnjë hap të këtij procesi. Diskutimet për kapitujt si tregtia e jashtme dhe marrëveshjet tregtare janë thelbësore për krijimin e një klime investimi, por qeveria vazhdon t’i injorojë, ” u shpreh Tabaku.

Tabaku theksoi po ashtu se “mbajtja e këtij procesi vetëm në rrethe të ngushta zyrtarësh që udhëtojnë në Bruksel, është e papranueshme dhe një dëm i madh për të ardhmen e vendit”.

”Ne nuk mund të kemi një proces që ekziston vetëm në letër, që udhëhiqet nga një grup i vogël zyrtarësh pa përfshirë bizneset dhe qytetarët shqiptarë. Kjo qasje i lë bizneset të papërgatitura për të përballuar sfidat dhe mundësitë e integrimit në BE”, theksoi ajo.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More