Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku gjatë punimeve të këtij Komisioni, kritikoi sjelljen e qeverisë në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se rruga drejt BE-së nuk mund të jetë një fasadë që injoron standardet demokratike.
“Po diskutojmë për grupkapitullin 4 që është shumë i rëndësishëm për mjedisin, energjinë dhe ndërlidhjen, por nuk mund të injorojmë faktin që sapo kemi dalë nga një proces zgjedhor me probleme të thella. Ky është kapitulli themelor – ai i zgjedhjeve dhe sundimit të ligjit. Dhe për fat të keq, testi demokratik dështoi”, u shpreh Tabaku.
Ajo iu referua raportit të OSBE-ODIHR që, sipas saj, “është një akt-ekspertimi që vulos realitetin e një shteti që vepron në shërbim të një partie”.
“Ne nuk mund të sillemi si europianë në Bruksel dhe si shqiptarë në Tiranë,” theksoi Tabaku.
Tabaku shtoi se “nuk mund të firmosim kapituj në letër kur po mbyllim sytë përballë deformimit të vullnetit të qytetarëve”.
Tabaku theksoi më tej se integrimi nuk është një proces teknokratik, por një kontratë politike me qytetarët, dhe sipas saj, raporti i OSBE-ODIHR është dëshmi e dështimit të kësaj kontrate.
Pas kërkesës së mazhorancës, diskutimi i shqyrtimit të projekt pozicionit negociues për Grupimin e katërt të kapitujve “Agjenda e gjelbër dhe konektiviteti i qëndrueshëm”, për negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, u bë më dyer të mbyllura.
Të pranishëm në Komision ishin Majlinda Dhuka, minister e Shtetit dhe Kryenegociator si dhe Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.