Tafa: Shqipëria renditet 25 vende më lart për sigurinë kibernetike në botë

nga D V

Kreu i Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa zhvilloi dje një takim me gazetarë dhe përfaqësues të disa institucioneve në vend. Në fjalën e tij, Tafa u shpreh se këtë vit vendi ynë është përballuar me më shumë sulme kibernetike, afro 300 të tilla, dhe një hartë më të zgjeruar të origjinës së vendeve nga vijnë këto sulme.

“AKSK është një agjenci që ka në fokusin e vet, mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve dhe institucioneve. Janë bërë disa hapa të rëndësishëm si nga ana ligjore, dhe ajo teknike, për ta përmirësuar këtë qasje. Nga ana ligjore që këtë vit kemi prezantuar Vitin e ri të Sigurisë Kibernetike, i cili i ka dhënë më shumë frymëmarrje dhe fuqi infrastrukturës së mbrojtjes dhe sigurisë së të dhënave. Janë ngritur metodologji të ndryshme që shkojnë deri te operatori fundor për menaxhimin e riskut kibernetik, deri në menaxhimin e incidenteve kibernetike. Harta e sulmeve është zgjeruar, kemi pasur nga Irani, por edhe nga Koreja e Veriut dhe nga Rusia. Arritje është fakti që Shqipëria është ngjitur 25 vende më sipër në renditjen për sigurinë kibernetike në botë”, tha Tafa.

Kreu i AKSK-së shtoi se “modernizimi i infrastrukturave, duke bashkëpunuar me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është një sfidë që ky institucion e ka marrë përsipër dhe po e ndërton, me suportin e teknologjisë së avancuar për mbrojtjen e institucioneve qeveritare dhe atyre të pavarura”.

Sipas Tafës, një nga sulmet më të rënda kibernetike gjatë 2024-ës ka qenë ai në Spitalin Rajonal të Fierit, ku u godit në mënyrë brutale, gjithë infrastruktura dhe u bllokua për tri ditë shërbimi, gjë që paralizoi shërbimin ndaj pacientëve, të dhënat, informacionet, duke u goditur marrëdhënia me pacientin. “Gjurma e sulmit ishte nga Koreja e Veriut, sepse ata janë një grup që i përkasin një shteti komunist që i ka të gjitha mekanizmat nën kontroll. Ne u ndeshëm me një goditje të rëndë, që kishte si qëllim të paralizonte çdo shërbim ndaj pacientëve. Ata kishin lënë mesazh, për pagesë me monedhë, kripto. Është tipike e koreanëve. Jo me qëllime politike, por për të marrë para. Sulmet ruse nuk kanë pasur qëllime si koreanët, por të godasin për të paralizuar infrastrukturën dhe shërbimet”, theksoi Tafa.

Kreu i AKSK-së foli edhe për vendimin e qeverisë për mbylljen me një vit të platformës TikTok.

“Pas vendimit të qeverisë për mbylljen e TikTok-ut, jemi në kushtet e një hamendësimi se TikTok si platformë kineze në përgjigje të këtij vendimi mund të ketë edhe ndonjë sulm nga kompani kineze, sepse Shqipëria bëhet në vendet e para në botë që bllokon plotësisht TikTok-un. Falë edhe algoritmit, përdoruesit më të shumë në Shqipëri janë në platformën TikTok, pastaj SnapChat, Instagram dhe në fund Facebook. Hapja e një profili me VPN, pra që tregon sikur je jashtë dhe jo në Shqipëri, është një mundësi për të pasur sërish TikTok. Por ka dy lloj VPN-sh, falas që kanë keqfunksionim dhe ato me lekë, do të thotë që personi duhet të ketë një kartë krediti për ta blerë dhe për të hapur një profil në TikTok”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More