Shkup, 10 qershor – Në kuadër të vizitës së tij të punës në Republikën e Kazakistanit, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, realizoi takim me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Murat Nurtleu. Fokusi i bisedimeve ishin mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit të përgjithshëm dypalësh, shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë, si dhe mbajtjen e raundit të tretë të konsultimeve politike në Shkup, informojnë nga Ministria.

Të dy ministrat ranë dakord se ekziston një potencial i konsiderueshëm për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, veçanërisht në sferën ekonomike – përmes rritjes së këmbimit tregtar dhe inkurajimit të investimeve të huaja direkte. Ata shprehën gjithashtu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm në nivel shumëpalësh, gjatë të cilit shkëmbyen pikëpamje mbi një sërë çështjesh aktuale të një konteksti rajonal dhe më të gjerë.

Takimi u përmbyll me nënshkrimin e Programit për bashkëpunim midis dy ministrive për periudhën 2025–2027, si një hap konkret drejt përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe.