Administrata Tatimore dhe Ministria e Bujqësisë kanë vijuar këtë javë kontrollet në të gjithë vendin, me qëllim formalizimin e tregut agro-ushqimor dhe rritjen e sigurisë ushqimore.
Vetëm në Tiranë është konstatuar një rritje prej 60 për qind e faturimit të deklaruar nga tregtarët.
Që prej 14 korrikut, janë intensifikuar verifikimet në terren për faturat e fiskalizuara, veçanërisht në tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Ligji kërkon që çdo mall i blerë nga fermerët të shoqërohet me faturë të fiskalizuar, ku përshkruhen mallrat dhe të dhënat e fermerit shitës.
Administrata Tatimore kujton se vetëm fermerët e regjistruar në Drejtoritë Rajonale Tatimore përfitojnë nga skema e kompensimit dhe nuk kanë detyrim të mbajnë kontabilitet apo të dorëzojnë deklarata vjetore të të ardhurave. Por nëse qarkullimi i tyre vjetor kalon 10 milionë lekë, ata duhet të regjistrohen si tatimpagues pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Institucionet ftojnë të gjithë tregtarët dhe fermerët të deklarojnë aktivitetin sipas ligjit, duke paralajmëruar se mungesa e faturave të fiskalizuara do të sjellë penalitete.