Shkup, 25 korrik – Temperaturat e larta, të cilat këto ditë në disa vende kalojnë 40 gradë, po kërcënojnë të gjitha kulturat bujqësore. Ato shkaktojnë një humbje më të theksuar të lagështisë së tokës dhe bimët detyrohen të transpirojnë intensivisht.
Siç thonë agrometeorologët, mungesa e ujit gjatë rritjes dhe zhvillimit të të korrave mund të çojë në një ulje të rendimentit dhe cilësisë dhe për këtë arsye, ujitja është e domosdoshme.
“Shumica e kulturave, siç janë pemët frutore, janë në fazën e vjeljes. Mollët bëjnë pjesë në grupin e kulturave me konsumin më të lartë të ujit dhe janë në fazën e pjekjes së frutave,dhe e gjithë periudha e vegjetacionit është e ndjeshme ndaj mungesës së ujit. Varietetet e dardhave të verës janë në fazën e vjeljes, ato kanë konsum më të ulët të ujit, por ato prapëseprapë duhet të ujiten pas vjeljes për të formuar sytha frutash për vitin e ardhshëm. Disa varietete rrushi janë në fazën e pjekjes dhe mungesa e ujit mund të ndikojë drejtpërdrejt në sintezën e sheqerit, substancave aromatike dhe të tjera”, shpjegojnë agrometeorologët.
Sipas tyre, edhe kulturat hortikulturore që janë në rritje dhe korrje intensive kanë nevojë për ujë.
“Çdo kulturë ka nevojë për ujë në zhvillimin e saj dhe çdo mungesë uji në këto faza ndikon fuqishëm në rendiment. Prandaj, përparësia e prodhuesve bujqësorë duhet të jetë furnizimi i kulturave bujqësore me sasinë e nevojshme të ujit, ndërsa kujdesi dhe zbatimi i të gjitha masave të nevojshme agroteknike duhet të vazhdojë. Me një regjim të duhur ujitjeje, arrihen rendimente më të larta”, vërejnë agrometeorologët.
Nën ndikimin e valës së të nxehtit deri nesër moti do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë me vranësira lokale të pakta deri në mesatare. Temperatura ditore do të jetë mbi mesataren për korrikun kudo dhe në rajone të caktuara do të arrijë 43 gradë.
DPHM për të dielën paralajmëron paqëndrueshmëri lokale me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Dhe temperatura do të jetë në rënie.