Trump nis ndëshkimin e censurës në BE/ Çfarë nënkuptojnë sanksionet e reja

nga L. M

BILD

Një ditë para Krishtlindjes, Shtetet e Bashkuara vendosën për herë të parë ndalime hyrjeje ndaj pesë evropianëve, mes tyre dy shtetas gjermanë.

Akuza e Departamentit amerikan të Shtetit: personat e sanksionuar kanë nxitur “censurimin e shprehjes së mendimit amerikan”. Gazeta BILD u përgjigjet pyetjeve kryesore.

Kush u sanksionua?

Politikani i lartë i BE-së, Thierry Breton, nuk do të lejohet më të hyjë në SHBA. Francezi ishte deri në shtator 2024 komisioner i BE-së për Tregun e Brendshëm dhe, mbi të gjitha, arkitekti kryesor i ligjeve digjitale të BE-së.

Gjithashtu të prekura janë dy lobiste gjermane: Anna-Lena von Hodenberg, themeluese dhe drejtuese e OJQ-së berlineze “HateAid” dhe Josephine Ballon, bashkëdrejtuese e së njëjtës organizatë.

OJQ-ja bashkëpunon ngushtë me qeverinë gjermane dhe BE-në që nga viti 2018. Von Hodenberg u dekorua në tetor me Urdhrin Federal të Meritës për punën e saj.

Po ashtu, SHBA vendosi sanksione ndaj dy përfaqësuesve britanikë të OJQ-ve: Imran Ahmed, themelues i “Center for Countering Digital Hate” dhe Clare Melford, drejtuese e “Global Disinformation Index”, një organizatë që vlerëson rrezikun e dezinformimit në platformat online.

Çfarë kanë të përbashkët të gjithë të sanksionuarit?

Të gjithë kanë qenë të përfshirë në hartimin e “Digital Services Act” (Akti i Shërbimeve Dixhitale – DSA) ose sot marrin pjesë aktive në zbatimin e tij. Në faqen e “HateAid” thuhet se organizata ka lobuar aktivisht në Bruksel dhe ka përfaqësuar viktimat e dhunës digjitale gjatë negociatave për ligjin.

Josephine Ballon ishte pjesë e një reportazhi të CBS News në shkurt mbi trajtimin juridik të gjuhës së urrejtjes në Gjermani – reportazh që zemëroi administratën Trump. Disa citate nga ajo intervistë përmenden edhe në arsyetimin e sanksioneve.

Gjithashtu, duket se kanë ndikuar edhe lojëra të politikës së brendshme amerikane. Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit Sarah Rogers e quajti Imran Ahmed “bashkëpunëtor kyç të administratës Biden për përdorimin e shtetit kundër qytetarëve amerikanë”. Në platformën X ajo shkroi: “Nëse ia kushtoni karrierën censurimit të shprehjes së mendimit amerikan, jeni të padëshiruar në tokën amerikane”.

Pak ditë më parë, Rogers kishte pritur edhe zëvendëskryetarin e grupit parlamentar të AfD-së, Markus Frohnmaier. Politologu Janis Kluge ironizoi në X se “ndoshta këshilla erdhi nga grupi që ishte së fundmi në Uashington”.

Çfarë është Akti i Shërbimeve Dixhitale?

Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA) është një ligj i BE-së që i detyron platformat online të respektojnë rregulla më të rrepta, veçanërisht për:

-fshirjen e përmbajtjeve të paligjshme,

-transparencën e algoritmeve,

-luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit.

Shkeljet ndëshkohen me gjobë, e në raste ekstreme edhe me kufizime të veprimtarisë së platformave.

Pse Trump e urren kaq shumë këtë ligj?

Në korrik, Kongresi amerikan diskutoi ligjet digjitale europiane me titullin: “Kërcënimi i censurës së huaj: si DSA e BE-së imponon censurë globale dhe kufizon lirinë e shprehjes në SHBA”.

Sipas Donald Trump, DSA është një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe ndaj kompanive amerikane të teknologjisë.

BE-ja ka gjobitur së fundmi platformën X me 120 milionë euro për mungesë transparence në reklama dhe llogari përdoruesish. X është në pronësi të Elon Musk, aleat i ngushtë i Trump.

Në Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, SHBA ankohet për humbjen e demokracisë dhe lirisë së shprehjes në Europë dhe kërkon një “ndryshim kursi”. Trump deklaroi që në shkurt: “Në Europë po humbet e drejta e mrekullueshme e lirisë së shprehjes. Unë e shoh këtë”.

Si reagoi Gjermania?

Ministri i Jashtëm Johann Wadephul (CDU) i quajti ndalimet e hyrjes “të papranueshme”.

Edhe ministrja e Drejtësisë Stefanie Hubig (SPD) reagoi: “Rregullat se si jetojmë në hapësirën digjitale në Gjermani dhe Europë nuk vendosen në Uashington”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More