Svetlana Timofeeva, shtetasja ruse e arrestuar dy vite më parë në Shqipëri, ka shprehur dëshirën për të filluar një karrierë në promovimin e turizmit në vendin tonë. Ajo ishte një nga tre personat që u ndaluan në datën 21 gusht 2022, në Çekin të Gramshit, për hyrje të paligjshme në bunkërët luftarakë të mbyllur për publikun.
Përveç Timofeeva, në këtë ngjarje ishin të përfshirë edhe Mikail Zorin nga Rusia dhe ukrainasi Fedir Alpatov. Treshja u përplas me ushtarët shqiptarë dhe u akuzuan për spiunazh nga Prokuroria shqiptare. Ajo pretendoi se ata kishin hyrë në Shqipëri për të mbledhur informata të ndjeshme ushtarake dhe strategjike që preknin sigurinë kombëtare.
Një vit pas ngjarjes, Timofeeva dhe Alpatov u lanë të lirë nga burgu dhe janë duke u ndjekur në gjendje të lirë. Megjithatë, Mikail Zorin, 23 vjeç, vazhdon të qëndrojë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Në një intervistë për Euronews Albania, Svetlana Timofeeva ka ndarë sfidat me të cilat është përballur pas arrestimit. Ajo ka deklaruar se ka jetuar në Shqipëri pa asnjë lloj dokumenti për një vit të tërë, çka i ka kufizuar ndjeshëm mundësitë e saj për të vepruar.
Pavarësisht këtyre vështirësive, Timofeeva ka shprehur dëshirën e saj për të kontribuar në promovimin e turizmit në Shqipëri, duke ofruar eksperiencën dhe njohuritë e saj për të tërhequr më shumë vizitorë në vend. Ajo shpreson se do të mund të përfitojë nga mundësitë e ofruara në këtë sektor, duke ndihmuar në zhvillimin e industrisë së turizmit në Shqipëri.