Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen sot në mbrëmje me homologët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, ndërsa mblidhen në Bruksel për një samit që do të përfshijë bisedime të rëndësishme mbi financimin për Ukrainën.
Udhëheqësit nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova pritet të jenë në Bruksel për bisedime.
BE synon të krijojë lidhje më të ngushta me të gjashtë vendet dhe t’i nxisë ato të ndërmarrin reforma të mëtejshme, duke çuar përfundimisht në pranimin e tyre në BE.
Kandidati kryesor për t’u bashkuar me bllokun është Mali i Zi, i cili, sipas një analize të kohëve të fundit nga Komisioni Evropian, është më i përparuari në procesin e anëtarësimit dhe pritet të përfundojë negociatat e pranimit deri në fund të vitit 2026 nëse ruan ritmin aktual të reformave.
“Shqipëria mund të jetë gati të përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2027”, tha komisioni.
Duke iu referuar çështjeve të brendshme, udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë nëse asetet e bankës qendrore ruse të ngrira në bllok – mund t’i vihen në dispozicion Ukrainës si kredi dëmshpërblimi.
Negociatat për kredinë mund të vazhdojnë deri të premten, pasi Belgjika, ku mbahet pjesa më e madhe e aseteve prej rreth 210 miliardë eurosh (247,4 miliardë dollarë), e ka kundërshtuar planin.
Gjatë samitit, vendet e BE-së mund të arrijnë gjithashtu një pakt për të nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë me katër vendet e “Mercosur” të Amerikës Latine: Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain.