Ulliri për ATSH: Më shumë financim për riintegrimin e viktimave të dhunës

nga D V

Deputetja e Partisë Demokratike, Andia Ulliri në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se dhuna me bazë gjinore është e papranueshme dhe duhet adresuar në çdo hallkë të saj.

Ulliri, duke iu referuar fushatës ndërkombëtare të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, u shpreh se duhet më shumë financim dhe vëmendje në drejtim të politikave riintegruese të viktimave të dhunës me bazë gjinore.

Kjo fushatë është një mesazh në vetvete e cila duhet përcjellë jo vetëm nëpërmjet nesh si deputetë, por nga çdo institucion dhe qytetar i Shqipërisë për të bërë të qartë se dhuna në çdo formë është e papranueshme”, tha ajo.

Ulliri tha se “dukshëm ende nuk kanë arritur të adresojnë çështjet kryesore dhe të garantojnë një mjedis të mbrojtur qoftë nga instancat e policisë vendore, por dhe ato në shkolla.

Kam marrë informacione mbi këto qendra sociale dhe nuk janë në nivelin e duhur, nuk kanë kapacitete për të ofruar ndihmën reale që nevojitet ndaj personave të dhunuar. Do shtoja se këtu ka nevojë për një vëmendje më të shtuar dhe financimin e duhur për të adresuar dhe riintegruar në punë dhe shoqëri gratë dhe vajzat apo çdokënd që sot ka nevojë”.

“Shpeshherë kam qenë pjesë e paneleve ku kam sugjeruar se ka nevojë për një konsultim me ekspertë për të krijuar një strategji në të gjitha nivelet, të cilat duhet të reagojnë dhe adresojnë këto çështje. E gjitha nis me vullnetin për të arritur më të mirën, një sistem i cili i mbron qytetarët e tij”, thekson Ulliri.

Deputetja e PD vë theksin te mentaliteti që duhet të ndryshojë në qasjen ndaj këtij fenomeni. “Në shumë zona të Shqipërisë shoh se ende ka një ndrydhje në mentalitet, problem i cili e vështirëson punën për të vënë mekanizmat në funksion. Ka raste kur dhuna adresohet dhe nuk merret parasysh nga policia, dhe po ashtu raste kur policia është e gatshme të ndërhyjë, por nuk denoncohet. Besoj në këtë prizëm ka ende punë për të bërë nga të gjithë ne.

Mendoj se ofrimi i modeleve të cilat frymëzojnë, por dhe politikat mbështetëse, rrisin gradualisht forcën e grave dhe vajzave në shoqëri. Secila prej nesh sot duhet të bëjë çmos që të ofrojë modelin e duhur”, thekson Ulliri.

Ajo tha se në Kuvend ka edhe nisma pozitive në këtë drejtim. “Patjetër, sot ekziston një grupim vullnetar i grave parlamentare, “Aleanca e Grave Deputete” ku opozita kryeson dhe ku bashkëpunimi si në rastin e propozimit për ruajtjen e kuotës gjinore pas ndryshimeve mbi kodin zgjedhor janë shembuj se kur ka vullnet dhe bashkëpunimi mund të arrihet dhe të prodhojë politika më të mira”, nënvizoi Ulliri.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More