Shkup, 15 nëntor – Në Komisionin e Kuvendit për Financim dhe Buxhet sot duhet të vazhdojë debati për Propozim-buxhetin për vitin 2025. Debati në komision filloi dje dhe sipas Rregullores zgjat 10 ditë, pas çka si propozim i plotësuar dërgohet në shqyrtim dhe miratim në seancën plenare të Kuvendit.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska në paraqitjen e saj para deputetëve në fillim të debatit të komisionit për Propozim-buxhetin për vitin 2015, theksoi se Propozim-buxheti për vitin 2025 bazohet në supozime dhe projeksione fiskale reale makroekonomike dhe siguron funksionim pandërprerë të institucioneve të shtetit dhe servisim të detyrimeve,
Sipas Dimitrieska – Koçoska, Propozim-buxheti është zhvillimor me komponentë sociale, në të cilin karakteristikë shtesë është ajo që trendi i rritjes së shpenzimeve është më i ulët nga trendi i rritjes së të ardhurave, gjegjësisht të ardhurat janë rritur për 13 për qind, ndërsa shpenzimet për 10 për qind në krahasim me vitin 2024, që kontribuon drejt konsolidimit dhe uljes së deficitit të buxhetit për rreth 3,3 miliardë denarë.
“Ky është buxheti i parë që propozoj si ministre e Financave dhe buxheti i parë i kësaj Qeverie. Pas numrave qëndron një koncept i ri. Numra që tregojnë luftën kundër ekonomisë gri, luftën kundër krimit, numra që do të sjellin shkallë më të larta të rritjes ekonomike dhe qëndrueshmëri në afat të gjatë. Politika fiskale për vitin 2025 është funksion i konsolidimit të mëtejshëm, ristrukturimit dhe optimizimit të të ardhurave dhe shpenzimeve publike duke ulur nivelin e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, si dhe duke nxitur aktivitetin ekonomik nëpërmjet shpenzimeve të realizuara në infrastrukturë. Rezultatet e pritura janë arritja e normave më të larta të rritjes ekonomike, pagave më të larta, standardit më të mirë për pensionistët, kushte më të mira jetese përmes zbatimit të projekteve komunale dhe projekteve infrastrukturore dhe e gjithë kjo do të inkurajohet nga zbatimi i reformave me mbështetjen e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, tha Dimitrieska-Koçoska.
Inflacioni pritet të ulet në nivel prej 2,2 për qind, si rezultat i stabilizimit të çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe të lëndëve djegëse në tregun ndërkombëtar, ngadalësimi i inflacionit të huaj efektiv, si dhe presioni më mesatar nga inflacioni bazik. Pritjet janë që tendencat pozitive makroekonomike të vazhdojnë edhe në vitin 2025 dhe rritja ekonomike të përshpejtohet në 3,7 për qind si rezultat i rritjes më të ndjeshme të investimeve, rritjes solide të konsumit dhe rimëkëmbjes së kërkesës së jashtme.
Të ardhurat e përgjithshme në Propozim-buxhet janë planifikuar në nivel prej 358,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 400,2 miliardë denarë. Deficiti i buxhetit është projektuar në vlerë absolute prej 41.350 milionë denarë ose në nivel prej 4 për qind të PBB-së së planifikuar.
Opozita në ditën e parë të debatit në komision për Propozim-buxhetin për vitin 2025 vlerësoi se bëhet fjalë për buxhet pa ide i cili do të sjellë borxhe të reja dhe do të kemi edhe një vit të humbur në plan ekonomik.
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe tha se politika financiare që e propozon pushteti në Buxhetin për vitin 2025 do ta shkatërrojë stabilitetin finajciar të vendit. Në Propozim buxhetin, sipas tij, ka të projektuara zëra joreale të larta për rritjen ekonomike, të cilat nuk janë asgjë tjetër përveç se pretekst për vrimë të planifikuar të rritur buxhetore dhe borxhe të reja. Sipas liderit të LSDM-së, nga premtimet e Qeverisë, nuk ka asgjë.
“Qeveria parashikon rritje të PBB-së prej 3,7 për qind për vitin 2025. Banka Popullore ka parashikuar rritje prej 3,3 për qind, ndërsa Banka Botërore është edhe më pesimiste me 2,5 për qind. Deficiti buxhetor është vendosur në 4 për qind të PBB-së, gjë që bie ndesh drejtpërdrejt me Ligjin për buxhetin. Dhe kjo duhet të jetë e qartë, një qasje e tillë nuk do të thotë zhvillim. Kjo do të thotë se qeveria planifikon të shpenzojë më shumë se sa fiton. Dhe kush do ta shlyejë atë borxh? A do t’i rrisim taksat? A do të shkurtojmë shërbimet publike? A do të hyjmë në borxhe?, pyeti Filipçe.
Sipas Filipçes, në Propozim-buxhetin e propozuar nuk ka projekte zhvillimore, po ndiqet një politikë e padrejtë me kompanitë vendore dhe nuk ka vizion për pavarësinë energjetike të vendit.
Debati në komision, sipas Rregullores së re, mund të zgjasë deri më 30 nëntor pas çka Propozim-buxheti duhet të miratohet në mbledhje plenare. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në intervistë për MIA-n njoftoi se në gjysmën e dytë të dhjetorit pritet Propozim-buxheti të gjendet në mbledhje plenare.
Buxheti për vitin 2025 duhet të votohet deri më 31 dhjetor.