Veliaj: Shkarkimi im është shkelje, nuk zgjodha unë të mos paraqitem në detyrë

nga D. V.

Erion Veliaj u shpreh sot përpara trupës së Gjykatës Kushtetuese, se shkarkimi i tij nga detyra e kryetarit të bashkisë së Tiranës është një shkelje e rëndë e parimeve themelore të demokracisë.

Veliaj tha se gjendet përpara trupës së Gjykatës Kushtetuese, pas një sage të gjatë zhgënjyese për të dëgjuar se çfarë paska bërë që u rrëmbye nga zyra ku e kanë zgjedhur qytetarët dhe është mbyllur në një qeli me një regjim burgosjeje apo shoqërimi më të rëndë se të një vrasësi serial.

“Kam sot më shumë policë në gjyq sesa avokatë. Provën e keni këtu në këtë sallë. Kam përjetuar një periudhë të gjatë të mbushur me shkeljet e të drejtave të mia si qytetar i kësaj republike, por mbi të gjitha një denigrim dhe përpjekje për të heshtur zërin e një të zgjedhuri tri herë radhazi nga qytetarët e Tiranës”, tha Veliaj.

“Kjo nuk është një përpjekje për të më denigruar mua, por një përçmim ndaj votës, të gjësë më të shenjtë që ka demokracia. Përçmimi ndaj saj, është përçmim ndaj forcës më të madhe që kanë qytetarët, ndaj fuqisë që populli i jep republikës për ta drejtuar”, vijoi ai.

Veliaj tha se kanë qenë qytetarët e Tiranës që e kanë votëbesuar me 160 mijë vota të lira dhe është zgjedhur nga këta qytetarë për tre mandate radhazi.

“Nuk jam këtu për të mbrojtur veten, se nuk kam bërë asnjë shkelje, por jam me respekt për të kërkuar që ta mbrojmë bashkë demokracinë që sot po vihet në sprovë. Demokracia që jemi betuar për ta mbrojtur kur kemi marrë detyrat tona jo në letër, por me veprim. Ky mandat nuk është mandati im, por një kontratë që qytetarët e Tiranës ma kanë dhënë me vullnetin e tyre si njerëz të lirë. Kjo besëlidhje është nderi i jetës sime dhe për mbrojtjen e saj do të bëj gjithçka që ma lejon ligji, fuqia e mendjes dhe forca e zemrës sime”, pohoi Veliaj.

Sipas Veliajt, askush nuk mund ta ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri përpara afatit, përveçse kur ka bërë shkelje të rënda të Kushtetutës apo ligjit.

“Ky është një premtim solemn që Kushtetuta e bën, një kufi moral që askush nuk duhet ta shkelë, pasi më parë duhet të shkelë themelet e demokracisë. Përpjekja ime për të mbrojtur besëlidhjen me qytetarët e Tiranës edhe në kushtet e rrëmbimit, është detyrim im ndaj qytetarëve të këtij qyteti. Vota e lirë është më e fortë se kulisat politikë dhe ajo më shtyn që ta bëjë këtë betejë këtu”, theksoi ai.

Veliaj theksoi se “ato që Kushtetuta i mbron duhet të thuhen me zë të lartë, të dëgjohen nga çdo shqiptar që ligji duhet të të mbrojë dhe jo të të sulmojë pabesisht”.

“Në këtë seancë nuk po shqyrtohet një vend pune. Kjo është një seancë historike që shqyrton themelet e demokracisë. Kjo është çështja që do të vendosë njëherë e mirë nëse pushteti do t’i përkasë ende qytetarëve, apo do t’u merret atyre në mënyrë hileqare pas perdeve të sajuara me nene e germa. Ligji do ta mbrojë demokracinë, apo do ta përmbushë në emër të një formaliteti”, pohoi Veliaj.

“Kontrata ime me qytetarët e Tiranës ka qenë në zemrën time në çdo orë pune, në çdo mëngjes, mbrëmje, diell, shi, kënd lojërash, në çdo shkollë, kopsht, çerdhe, shesh, park. Nuk ka diçka më fisnike sesa ta mbrojë besimin që më është dhënë me votë të lirë”, tha Veliaj, teksa theksoi se pretendimi për mosparaqitje në punë për më shumë se tre muaj është fyerja më e rëndë që i është bërë ndonjëherë.

“Punë nga e cila më shkëputen pabesisht ata që donin me të shihnin më pranga në duar dhe jo me lopatë në duar. Që nuk donin Lali Erin në zyrë, sepse ajo zyrë ishte bërë simbol dashurie për qytetin. Mund ta burgosësh një njeri, por jo të vërtetën. E vërteta është se mosprezenca ime nuk ka qenë zgjedhja, pra unë nuk zgjodha që të vetërrëmbehem, të vetizolohem dhe vetinternohem në qytetin e Durrësit në një burg në kënetë, por pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti, përmes një vendimi dispropocional nga letra anonime dhe zell persekutues që më privoi jo vetëm nga liria dhe familja, por edhe qyteti im”, tha  Veliaj.

“Kjo fyerje erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, që nuk denjuan as të më dëgjonin, as të më ftonin. Padrejtësia e shkarkimit mbi padrejtësinë e shoqërimit nuk e bën vendin tonë më të drejtë, sepse prandaj kemi përfunduar në Gjykatë Kushtetuese. Ky sot është një mesazh pasigurie ndaj kujtdo që nesër mund të shënjestrohet për arsye politike”, pohoi Veliaj.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More