Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi një dialog të hapur me të rinjtë pjesëmarrës në Programin e Praktikave pranë Ministrisë së Mbrojtjes, duke vënë theksin te roli vendimtar i kapitalit njerëzor në ndërtimin e një sistemi modern dhe të qëndrueshëm të mbrojtjes.
Gjatë bashkëbisedimit, ministri Vengu theksoi se mbrojtja nuk mbështetet vetëm te kapacitetet dhe sistemet teknologjike, por mbi njerëzit, dijen dhe vendimmarrjen me vizion.
Ai nënvizoi rëndësinë e mendimit ndryshe dhe të guximit intelektual në një fushë që po ndryshon me ritme të shpejta, duke vlerësuar kontributin e të rinjve si burim idesh të reja, këndvështrimesh të freskëta dhe ambiciesh për të qenë pjesë aktive e zgjidhjeve.
Ministri evidentoi gjithashtu profilin e larmishëm të grupit të praktikantëve, të cilët përfaqësonin një mozaik disiplinash, nga shkencat ekzakte te ato humane, si dhe përvoja të ndryshme akademike brenda dhe jashtë vendit.
Sipas tij, rikthimi i të rinjve të arsimuar jashtë Shqipërisë për të kontribuar në vend është një vlerë e shtuar për institucionet dhe për sektorin e mbrojtjes në tërësi.
Në përfundim, Vengu theksoi se, teksa industria ushtarake zhvillohet dhe Shqipëria forcon rolin e saj brenda NATO-s, nevoja për profesionistë të rinj, të kualifikuar dhe të angazhuar bëhet gjithnjë e më thelbësore.
Investimi te kapitali njerëzor, nënvizoi ai, është investim i drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare dhe në të ardhmen e përbashkët të vendit.