Kumanovë, 23 gusht – Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 2025/26, shkollat komunale të vendit po bëjnë përgatitjet e fundit teknike e kadrovike për të nisur sa më mirë e për së mbari vitin e ri shkollor. Edhe shkolla fillore komunale “Naim Frashëri” në Kumanovë, me sukses po realizon përgatitjet e tilla që të nis këtë vit. Siç na njoftoi drejtori, Muhamed Zeqiri, në shkollë tashmë janë kryerë një sërë punimesh infrastrukturore e deri tek ato kadrovike.
“Këtë vit duke bërë edhe analizat gjatë përfundimit të vitit shkollor kemi kryer gëlqerosjen e pothuajse gjithë objektit të shkollës, nga ana tjetër jemi përqendruar edhe në ndërrimin e disa dyerve të klasave, kërkesë kishim edhe deri tek MASH, e cila edhe na është aprovuar, për tre klasa pajisje me banga e karrige. Nga ana tjetër sa i përket mjeteve didaktike, si shkollë kemi fituar një grant në vlerë modeste e të cilën do ta realizojmë me vendosjen e tabelave smart. Vazhdimisht i kushtojmë rëndësi mjeteve didaktike apo modernizimit të shkollës, pothuajse mbi 60% e klasave i kemi të pajisura me smart tabela”, u shpreh drejtori shkollës “Naim Frashëri”, Muhamed Zeqiri.
Siç theksoi Zeqiri, shpresojnë se deri më 1 shtator, pritet që edhe 5 klasa të tjera të pajisen me Smart Tabela. Zeqiri, gjithashtu na njoftoi edhe me rrjedhën e procesit të të dyja afateve të regjistrimit të nxënësve në këtë shkollë, ku interesimi ishte pothuajse konstant sikurse vitin e kaluar pa u vërejtur ulje apo ngritje e numrit të nxënëve që regjistrohen për here të pare në shkollat fillore.
“Në afatin e parë gjithsej të regjistruar në Sh.F.K. “Naim Frashëri”, janë të regjistruar gjithsej 98 nxënës, shpresojmë se në afatin e dytë i cili ësht5 në zhvillim e sipër do ta arrijmë numrin e dëshiruar të nxënësve. Mirëpo duhet potencuar se është evidente zvogëlimi i numrit të nxënësve në nivel komunal e republikan, e njëjta na prek edhe neve por që nuk jemi në situate që të frigohemi se do të kemi numër drastik të ulët të nxënësve”, shtoi Zeqiri.
Ndërkaq sa i përket furnizimit me tekste shkollore, Zeqiri për programin tonë thotë se, këtë vitë janë në gjendje më të lakmueshme dhe më të mirë se viteve tjera, pasiqë mbi 80% e atyre teksteve shkollore tashmë i kanë marrë.
“Tekstet për klasat e para, dyta dhe klasat e treta të cilët punojnë edhe me konceptin e ri pothuajse 90% janë veçmë në shkollë, që donë të thotë se këtë vit do të jemi në epërsi me vitet e kaluara sa i përket teksteve shkollore”, shtoi Zeqiri.
Ndryshe, Shkolla fillore komunale, “Naim Frashëri” në Kumanovë, numëron mbi 1.100 nxënës të shpërndarë në 55 paralele, e që renditet në komunën e Kumanovës si një ndër shkollat më të mëdha.