VLEN: BDI nga frika po i bie kokës me gurin e vet

nga Xh M

Shkup, 21 shtator – Frika e kësaj udhëheqësie të kriminalizuar të BDI-së nga ndjekja penale
i detyron ata t’i japin vetes autogola. Nuk ka manipulim më të madh sesa
kur klika e BDI-së e akuzon VLEN-in për vendimet e Gjykatës Kushtetuese,
përbërja e së cilës është zgjedhur me propozim dhe pajtim të Ali
Ahmetit.

Për më tepër, iniciativa e Komisionit për Antikorrupsion për kontestimin
e punësimeve mbi bazë të balancuesit, pra sipas përkatësisë etnike,
është parashtruar në kohën kur Nuri Bajrami, baxhanaku i Talat Xhaferit,
ishte anëtar i këtij komisioni.

As Artan Grubi, si ish-ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie
Ndërmjet Bashkësive, nuk ka dashur të dorëzojë argumente në Komisionin
për Antikorrupsion për punësimet e shqiptarëve në administratë. Pra,
fajtorët e drejtpërdrejtë për situatën aktuale me balancuesin janë Artan
Grubi, Talat Xhaferi dhe Ali Ahmeti. Vendimi i kësaj përbërjeje të
Gjykatës Kushtetuese bie mbi ndërgjegjen e kësaj udhëheqësie të
kriminalizuar të BDI-së, e cila, në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes
penale për aferat korruptive të ish-funksionarëve, përpiqet
dëshpërimisht të nxisë tensione ndëretnike duke u paraqitur rrejshëm si
shpëtimtare e shqiptarëve.

Po i bien kokës me gurin e vet. Shfrytëzojnë manipulime të ulëta duke
thënë se shqiptarët janë të përfaqësuar në institucione vetëm kur
kriminelët e BDI-së janë në pushtet. Publikisht pyesim: A ka ndonjë kufi
që s’e keni shkelur? Si nuk iu vjen turp të nënvlerësoni popullin tuaj
në këtë mënyrë? Mos vallë mendoni se shqiptarët, brenda 80 ditëve nga
formimi i Qeverisë së re, do t’ju falin mëkatet dhe vjedhjet që u keni
bërë?

Edhe një herë përsërisim, koalicioni VLEN është garancia se vendimi i
turpshëm i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përdorimit të
balancuesit nuk do të ndalojë punësimin e shqiptarëve në administratën
publike, sepse ky është një status i garantuar kushtetues që buron nga
Marrëveshja e Ohrit. Keqpërdorimet e deritanishme me balancuesin, ku
maqedonasit janë deklaruar si shqiptarë për t’u punësuar, do të zgjidhen
nga VLEN-i me anë të një Ligji për përfaqësim të drejtë, i cili do t’u
mundësojë shqiptarëve punësim në organet e administratës shtetërore mbi
bazën e profesionalizmit, dhe jo për shkak të përkatësisë partiake.
Kjo klikë e kriminalizuar e BDI-së do të përballet me drejtësinë, dhe
derisa të largohet nga politika dhe të pushojë së mbajturi peng anëtarët
dhe simpatizantët e ndershëm të partisë, vetëm do të vazhdojë të humbasë
besimin e popullit!

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More