Votimi nga jashtë nis në prill, Balla: Pas takimit në Greqi, do të jemi në Itali

nga D. V.

Kryeministri Edi Rama e ka nisur sot bashkëbisedimin me qytetarët në rubrikën “Sy m’sy” në platformat sociale, me një bisedë telefonike me drejtuesin politik të Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla.

Fokusi i bashkëbisedimit ishte takimi i paralajmëruar i Kryeministrit Rama me bashkatdhetarët shqiptarë në Kretë në 29 mars, por edhe vota e diasporës dhe procedurat e shpërndarjes së zarfeve të para në shtetet ku janë regjistruar shqiptarët për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.

“Itinerari në Kretë të Greqisë do të fillojmë me takime në Hania një ndër qytetet më të mëdha të Kretës ku jeton një komunitet i madh shqiptar. Në gjithë Kretën jetojnë sipas shifrave rreth 35-45 mijë shqiptarë të cilët kanë një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të këtij ishulli që është një destinacion turistik për Greqinë.

Ndërsa, në Hania jetojnë rreth 10-14 mijë shqiptarë që janë të integruar atje. Edhe nga biseda me përfaqësues të qeverisë vendore atje, shqiptarët janë shumë mirë të përfaqësuar në organet e qeverisjes vendore aty”, tha Balla.

“Takimi në Hania do të zhvillohet në një pallat sporti ku do të marrin pjesë një komunitet i madh jo vetëm nga Hania, por edhe nga zonat përreth. Do takohemi edhe me drejtues të shoqatave aty, pa asnjë dallim të majtë të djathtë, sepse kjo është një vizitë historike, ku për herë të parë një kryeministër shqiptar shkon t’i takojë. Ditën tjetër do të kemi një takim me bashkatdhetarët në Athinë. Greqia është e dyta pas Italisë me numrin më të madh të bashkatdhetarëve të regjistruar për të dhënë votën e tyre në 11 maj”, vijoi Balla.

Sipas Ballës, pritshmëritë janë që edhe takimi i Athinës të jetë madhështor, me përfaqësues të shoqatave të ndryshme dhe shqiptarë nga zonat përreth.

“Dy javë më pas rikthehemi në Itali, për të pasur një takim tjetër të rëndësishëm me bashkatdhetarët tanë atje. Kemi menduar një pikë afër Milanos ku mund të marrin pjesë shqiptarë nga të gjitha qytetet, por mos harrojmë që pjesa më e madhe e shqiptarëve jetojnë në pjesën e veriut të Italisë”, pohoi Balla.

Kryeministri Rama e pyeti ministrin Balla edhe për periudhën se kur parashikohet që të mbërrijnë zarfet e para me fletën e votimit te shqiptarët e diasporës, ndërsa Balla tha se KQZ tashmë ka përfunduar procedurën e përzgjedhjes së kompanive të postës.

“Besoj që në ditët e para të prillit, diku nga data 7-8-9 prill të mbërrijnë zarfet e para në destinacionet më të afërta dhe deri në mes të prillit, të kenë mbërritur edhe në pjesë të tjera të botës. Janë 120 shtete ku janë regjistruar deri në Japoni, apo Antigua është një emër i veçantë ku janë regjistruar bashkatdhetarët tanë, apo destinacione më pak të njohura. Të regjistruar ka edhe shqiptarë në Irak”, nënvizoi Balla.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More