Vrasja e Liridona Ademajt, dëshmitari tregon për shumën e parave që ia kishte parë të akuzuarit Granit Plava

nga L. M

Shqyrtimi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës Kushtrim Kokallës të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademaj, ka vazhduar me dëshminë e Kanon Kokallës, vëllai i Kushtrim Kokallës, njëherit familjar i Naim Murselit.

Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023 në ora 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Sipas Prokurorisë, dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

Dëshmitari Kanon Kokalla deklaroi se është vëllai i Kushtrim Kokallës dhe tha se të akuzuarin Naim Murseli e ka familjar (djalë të hallës dhe djalë të dajës).

Lidhur me të akuzuarin tjetër në këtë rast Granit Plavën dëshmitari tha se e njeh nga fëmijëria.

“Na jemi një gjeneratë jemi rritë, jemi shkollu bashkë, ka qenë djalë puntor, i cili çdoherë ka punu. Kur jemi taku në kafe jemi përshëndet, raporte më të afërta nuk kam pasë, pasi unë nuk kam shumë kohë të rri me të tjerët”- tha dëshmitari.

Kokalla tha se në mujain nëntor kishte ndejur me Granit Plavën në ditëlindje të djalit të Plavës, dhe po atë ditë ia kishte parë një shumë të parave të akuzuarit, gjë që për dëshmitarin kishte qenë befasuese sepse kishte qenë fundi i muajit.

“Ka qenë data 17 nëntor 2023 rreth orës 15:00 masdite, se unë djalin tem e kam pasë në klasë me djalë të Granitit, dhe ai na ka ftu fëmijët me ia festu ditëlindjen në center mall në Gjakovë kati i dytë, pasi që djali im ishte 5 vjet e gjysmë dhe vetëm me e lënë u frikësojsha jam shku unë me një shok timin bashkë”-tha dëshmitari

“…pasi që Graniti ishte me familjen e tij me gru me akraba u ul në tavolinë me mua e atë shokin, masi ishte data 17 nëntor ishte fundi  i muajit une i thash çka u bo more gjithë këto pare, ai e ka vendosë dorën te xhepi dhe i ka pasë disa para po nuk e di shumën, po për atë datë mu ka dukë shumë pare, ishte fundi i muajit dhe për atë arsye mu ka dukë shumë”-deklaroi më tej dëshmitari

Kokalla tha se ai dhe rrethi familjar e kanë ditur Naim Murselin si person shumë të lumtur dhe martesën e tij me Liridona Ademajn e kanë ditur si martesë të lumtur.

“Unë, na krejt rrethi familjar çka jemi, na e kemi ditë që Naimi ka bo jetë të bukur të lumtur si ka mungu kurgjo, edhe ja kanë pasë lakmi shumë persona për jetën qe e ka bo”-tha dëshmitari.

Ndërsa për vëllain e tij (Kushtrim Kokallën – i akuzuar) tha se është ka qenë djalë i sjellshëm.

“Për vet faktin që ka qenë pjesëtar i FSK-së, tregon që ka qenë djalë i sjellshëm”- deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari tha se edhe tash janë të tronditur dhe të shokuar për rastin.

Në fund të dëshmisë, dëshmitari Kanon Kokalla kërkoi leje nga trupi gjykues që të përshëndetet me vëllain e tij, të akuzuar Kushtrim Kokallën, mirëpo lidhur me këtë trupi gjykues i tha se të akuzuarin tash e tutje mund ta vizitojë në qendrën e paraburgimit pasi që deri më tani nuk i është lejuar ta takojë të akuzuarin pasi që ai ka qenë dëshmitar dhe ende nuk kishte dhënë dëshminë në shqyrtim gjyqësor, mirëpo tash e tutje atij i lejohet vizita.

Në fund të seancës gjyqtarja Fatime Dërmaku njoftoi se për dëshmitarin Shaban Murseli (babai i Naim Murselit) tha se do të lëshohet urdhëresë për verifikim të adrese dhe dorëzim ftese.

Fillimisht në sesionin e paraditës janë dëgjuar dëshmitarët Florian Avdija, Aurel Pajaziti dhe Valon Lluka.

Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktuan për në muajin nëntor dhe në muajin dhjetor

Kujtojmë se në seancën e datës 06.10.2025 kanë dhënë dëshminë lidhur me këtë rast katër dëshmitarë, përfshirë eksperti mjekoligjor i cili ka dhënë detaje rreth raportit të autopsisë që i ka bërë trupit të së ndjerës pas vrasjes.

Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Fatime Dermaku (kryetare e trupit gjykues), Gent Beka dhe Alban Ajvazi (anëtarë).

Më 31.01.2025 Naim Murseli nuk e kishte pranuar fajësinë lidhur me akuzën për vrasjen e Liridona Ademajt. Kurse, Kushtrim Kokalla nuk kishte pranuar të deklarohet pa u këshilluar me avokatin e tij, Ndrecë Dodajn.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla janë personat të cilët tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje që u regjistrua më 29.11.2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

I akuzuar në këtë rast është edhe Tom Dodaj, i cili akuzohet që shiti armën me të cilën u krye vrasja e Liridona Ademajt. Ky i fundit në shqyrtim fillestar më 31.01.2025 kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë nga Prokuroria.

Dodaj nga Gjykata e Prishtinës për këtë vepër penale është dënuar me 5 vjet dënim me burgim dhe me 5,000 euro dënim me gjobë.

KALLXO.com ka arritur që të sigurojë aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurorja Javorka Perlinçeviq. Kjo e fundit madje në një konferencë që u thirr nga kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se vonesa e aktakuzës është si shkak i disa dokumenteve dhe kërkesave që ka kërkuar nga Suedia, për të zbardhur motivin që qëndroi mbrapa vrasjes.

Prokurorja e rastit ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve – siç përshkruhet edhe në Aktakuzë – kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.

Gjithmonë sipas aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.

Këtë plan dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me familjarin e tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.

Gjithmonë sipas dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blenë një armë të tipit “Zastava”, me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.

E, në të njëjtën ditë dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin ku paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar që e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.

Në dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës, më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale të vrasjes së rëndë.

I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E, për të gjithë këtë rast Plava do të kompensohej me një shumë prej 30,000 eurosh.

Sipas dosjes së Prokurorisë Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa krahun viktimës po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.

Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e tashmë të akuzuarit Granit Plavës, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.

Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.

I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, familjar i Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.

Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale “vrasje e rëndë”. E, i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë, të cilët planifikuan dhe kryen vrasjen.

I akuzuari i katërt në këtë rast Tom Dodaj ka pranuar fajësinë duke thënë se në mënyrë vullnetare e pranon fajësinë për veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Tom Dodaj për veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga Gjykata e Prishtinës është dënuar me 5 vjet “dënim me burgim” dhe me 5,000 euro “dënim me gjobë”.

Raportimet e tjera, lidhur me këtë rast, mund t’i gjeni këtu.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More