Shkup, 17 korrik – Një nga nevojat themelore të njeriut është edhe ndjenja e të qenurit i sigurt në ambientin ku vepron dhe jeton. Pavarësisht pozitës apo funksionit që bartë, më të atakuar me pasigurinë janë bartësit e funksioneve publike. I tillë ishte rasti edhe me sulmin dhe tentim vrasjen e kryetarit të Haraçinës, Ridvan Ibrahimi. Edhe pse tre muaj me vonës sërish është zbardhur rasti në fjalë, dhe ky hetim sado qoftë i ngadalshëm i organeve të sigurisë sërish është rikthim shprese për sigurinë e përgjithshme në vend. Pasi kur bartësit e funksioneve publike janë të rrezikuar e liria e tyre e kërcënuar çfarë mund të ndodhë me qytetarët e rëndomtë, shkruan Zhurnal.
Tre muaj me vonesë por zbardhja e rastit krijon atmosferë të mirë sigurie në vend –
SPB në Shkup njoftoi se ka zbardhur ngjarjen penale nga 01.04.2024 në Haraçinë të Shkupit, kur është raportuar se kryetari i komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi dhe persona të tjerë të punësuar në komunë, derisa kanë qenë duke inspektuar punët ndërtimore, janë sulmuar me armë zjarri nga një person i armatosur.
Në këtë rast janë shkrepur plumba që kanë goditur E. S. (39) dhe A. A. (22), të punësuar si pjesë e stafit të kabinetit të kryetarit të komunës.
Policia njofton se pas hetimit të plotë të rastit përmes veprimeve të shumta operative taktike dhe hetimore është konstatuar identiteti i kryerësit të sulmit.
“Pas kompletimit të plotë të materialeve zyrtare dhe raporteve të kryera të ekspertizës, me datë 16.07.2024, në KSHP Shkup është paraqitur kallëzim penal kundër M.A. (36) për veprën e kryer “vrasje e mbetur në tentativë”, e parashikuar dhe e dënueshme sipas nenit. 123 në lidhje me nenin 19 të K3”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kjo nuk është përpjekja e parë për të frikësuar kryetarin e kësaj komune në rrethinën e Shkupit. Ai disa herë ka raportuar në polici se ka qenë cak i sulmeve dhe kërcënimeve verbale dhe fizike. Ibrahimi është ankuar në maj të vitit të kaluar se dikush e ka kërcënuar me jetë derisa ai nuk ishte i pranishëm në ndërtesën e komunës. Nga hetimet rezultoi se ka qenë një bashkëfshatar, i cili e ka kërcënuar pasi nuk ka qenë i kënaqur me trajtimin e një çështjeje lidhur me shfrytëzimin e tokës shtetërore. Kërcënimet i ka bërë para disa personave në komunë. Denoncim në Ministrinë e Brendshme ka pasur edhe në shtator të vitit 2022, kur kryetari i komunës ka njoftuar se është sulmuar fizikisht në ambientet e bashkisë.
Në RMV qytetarët ndjehen të pasigurt –
Siguria është njëri nga kushtet themelore që duhet plotësuar për të garantuar një mirëqenie të mirë sociale. E për këtë pjesë ekzistojnë edhe organet e sigurisë që me kompetencat e tyre duhet ta garantojnë një gjë të tillë. Por, në Maqedoninë e Veriut ngjanë sikurse këto organe janë në gjumë e pasive në funksionim. Pasi ndodhin raste të shumta por përfundojnë pa zbardhje dhe pa asnjë epilog dhe kjo krijon ndjenjën e pasigurisë dhe frikës te qytetarët.
Kujtojmë edhe mbrëmjen e 6 marsit të vitit që lamë pas, Jeton Krivanjeva i njohur me nofkën “Zhilla” dhe Enes Isejni, i njohur me nofkën “Llaci”, mbetën të vrarë në hapësirat e një lokali në afërsi të Kalasë në Çarshinë e Shkupit, kur ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri pesë persona të maskuar, të cilët më pas janë larguar në drejtim të panjohur. Gjatë të shtënave është plagosur rëndë edhe A.T. që punonte si kamerier në këtë lokal. Ky rast ende nuk është zbardhur, mbase si shumë raste të tjera edhe ky do të mbetet nën hijen e hetimeve që janë pa afat e pa limit, zgjatin deri në pafundësi.
Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë. Por më e rëndësishmja, ripërsërisim, mbetet siguria, dhe kur policët dhe zyrtarët nuk janë të sigurt në këtë vend çfarë të bëjnë qytetarët e mjerë? /Zhurnal.mk