Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet sot me presidentin e ri të Irlandës në Dublin, ndërsa përpjekjet e SHBA-së vazhdojnë për të ndërmjetësuar armëpushimin në Ukrainë.
Vizita vjen një ditë pasi ai u takua me presidentin francez Emmanuel Macron në Paris, si pjesë e diskutimeve mbi përfundimin e konfliktit më të madh të armatosur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kryeministri irlandez, Michael Martin tha se Irlanda do të rikonfirmonte angazhimin e palëkundur të Irlandës për të qëndruar me popullin e Ukrainës për aq kohë sa do të duhej.
Zelensky mbërriti në Dublin dje në mbrëmje.
Të dy udhëheqësit do të zhvillojnë një takim dypalësh, i cili do të shënojë vizitën e parë shtetërore nga një president ukrainas në Irlandë.
Zelensky dhe zonja e parë e Ukrainës Olena Zelenska do të kryejnë, fillimisht një vizitë mirësjelljeje te presidentja irlandeze Catherine Connolly në Aras an Uachtarain në Parkun Phoenix sot në mëngjes.
Zelensky do të marrë pjesë gjithashtu në inaugurimin e Forumit Ekonomik Irlandë-Ukrainë me zëvendëskryeministrin irlandez, Simon Harris.
Udhëheqësi ukrainas do të mbajë sot pasdite gjithashtu një fjalim para parlamentarëve në “Leinster House”.
Në prill 2022, Zelensky mbajti një fjalim historik në parlamentin irlandez nëpërmjet një lidhjeje me video, në të cilin tha se Irlanda nuk kishte qenë neutrale ndaj “katastrofës” që Rusia i kishte shkaktuar Ukrainës.
Duke përshëndetur vizitën, Martin tha se mbërritja e Zelensky në Dublin vinte në një kohë të rëndësishme për Ukrainën.
Zyrtarët ukrainas dhe amerikanë kanë punuar për të rishikuar planin e propozuar të autorizuar nga SHBA-ja, të zhvilluar në negociatat midis Uashingtonit dhe Moskës, por të kritikuar si të orientuar drejt kërkesave ruse.
Zelensky tha dje në Paris se plani i paqes “dukej më mirë”, dhe se kushti për kontrollin e e territoreve ukrainase nga Ruisa ishte tema “më e ndërlikuar” që po diskutohej.