Shkup, 27 prill – Maqedonia e Veriut pos kushteve të brendshme që i kërkohen për integrim në BE dhe pengesave bilaterale të cilat në rrugëtimin e saj ia ka vënë Bullgaria, në rrafsh të jashtëm përballet edhe me situatën e diskutimeve thelbësore për reformimin e vetë Unionit. Megjithatë, BE-ja e vendosur që reformat brenda saj të ndodhin paralelisht me zgjerimin, ndërkaq viti 2030 mbetet qëllim politik për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Profesori universitar Isak Sherifi për TVM2 vlerëson se angazhimet e BE-së për reformim institucional dhe vendimmarrës, tashmë janë të shpërfaqura në opinion, por megjithatë strategjia për zgjerim edhe përkundër vështirësive nuk zbehet.
“Nuk është vetëm faji ynë. Bashkimi Evropian po përballet me probleme të brendshme të zgjerimit. Vetë deklarata e kryetares së KE-së tregon se nuk kemi një Union Evropian ashtu siç kemi pretenduar edhe më herët për shkak të krizave të brendshme që ndodhin brenda BE-së… Por kjo nuk do të thotë se BE-ja mos të heziton që të inkuadron edhe vendet e Ballkanit Perëndimor në strukturat e BE-së.”, u shpreh për TVM2 profesor universitar Isak Sherifi.
Që procesi i zgjerimit të vijojë edhe më tutje nevojitet një unifikim i brendshëm mes anëtarëve të BE-së dhe zbutje të qëndrimeve të partive ekstreme dhe djathtiste në mbështetjen e kandidaturave të vendeve aspirante, thotë njohësi i diplomacisë, Sherifi.
“Vetëm një homogjenizim i brendshëm i BE-së jep sinjal për qëndrueshmërinë e BE-së për zgjidhjen e kontesteve që ndodhin tek vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pengesë shihen edhe partitë djathtiste të cilat hezitojnë të inkuadrojnë vende të Ballkanit Perëndimor në gjirin e BE-së… Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të përplasjeve të politikave të ndryshme mes SHBA-së dhe BE -së, sidomos në rastin e konfliktit, Rusi – Ukrainë.”, tha Sherifi.
Për t’ju përgjigjur sfidave aktuale, vitin e kaluar liderët e BE-së miratuan një udhërrëfyes për punën e ardhshme mbi reformat e brendshme që bazohet në katër drejtime të punës: në vlera, politika, buxhet dhe qeverisje. Ndërkohë, politika e zgjerimit mbetet prioritet edhe në mandatin pesëvjeçar të BE-së, i cili do të avancohet përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.