Zhvillimi teknologjik ka nxitur punën online, sa respektohen të drejtat e këtyre punëtorëve?

nga I.A

Shkup, 1 maj – Puna nga shtëpia tash më nuk është luks apo kërkesë por praktikë që pothuajse ka depërtuar mirë në vendin tonë. Kompani të shumta po e praktikojnë këtë falë zhvillimit tëë hovshëm teknologjik. Gjë, që ka përparësi të dyfisht si për punëtorët ngjashëm edhe për punëdhënësit. Përshkak se punëtorët nuk bëjnë shpenzime shtesë për rrugë e ushqim jashtë shtëpisë, dhe për bizneset nuk bëjnë shpenzime për zyre, mirëmbajtje e rrymë. Por, çështja është se sa respektohen të drejtëat e këtyre punëtorëve? shkruan Zhurnal.

Puna online sfidë e kohës modern –

Siguria dhe shëndeti i punëtorëve është fokusi ynë, dixhitalizimi i proceseve të punëtorëve do të mundësojë krijimin e vendeve të reja të punës, theksoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi sot gjatë fjalimit në ngjarjen me rastin e shënimit të “Ditës botërore të sigurisë dhe shëndetit gjatë punës”.

Ai theksoi se në kushte të ndryshimeve të thella në botën e punës, globalizimit, ndryshimeve teknologjike, modeleve të reja të biznesit, etj., një nga sfidat më të rëndësishme të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës është të përcaktojë se cilët persona, respektivisht punëtorët, duhet të jenë objekt i mbrojtjes dhe të gëzojnë mbrojtje adekuate në punë.

Sipas Durmishit, zhvillimi i shpejtë i teknologjisë dhe digjitalizimi i botës afariste në dekadën e fundit ka mundësuar hapjen e llojeve të reja të vendeve të punës, të cilat dhjetë vjet më parë as që mund t’i imagjinonim.

“Gjithashtu, shumë vende pune që dikur kanë qenë tradicionale, tani po ndryshojnë dhe përshtaten me teknologjitë e reja dhe mënyrat e punës, në të ardhmen do të hapen edhe më shumë vende të reja pune që do të bazohen në teknologji dhe digjitalizim, siç janë vendet e punës në fushën e teknologjisë, automatizimi i proceseve, zhvillimi i inteligjencës artificiale etj”, tha ministri.

Megjithatë, së bashku me hapjen e vendeve të reja të punës, do të ketë edhe ndryshime në vendet ekzistuese të punës, të cilat do të kërkojnë që punëtorët të zhvillojnë shkathtësi të reja dhe të përshtaten me teknologjitë dhe mënyrat e reja të punës. Kjo për shkak se teknologjitë e reja shpesh ndryshojnë mënyrën në të cilën punohet dhe kërkojnë një set të ndryshëm të shkathtësive.

“Në këtë drejtim, e me qëllim që përfshirjes dhe përshtatjes më të lehtë të punëtorëve me nevojat e tregut të punës, respektivisht përvetësimin e shkathtësive kompjuterike dhe arsimimit digjital, me qëllim të rritjes së punësisë dhe konkurrentësisë në tregun e punës, me Planin operativ për programet dhe masat aktive për punësim dhe shërbimet në tregun e punës për vitin 2025, parashikojmë disa masa që kanë të bëjnë me trajnimin dhe zhvillimin e shkathtësive digjitale, siç janë trajnimi i avancuar i shkathtësive TI, specialist për inteligjencë artificiale, specialist për rrjetet, trajnim për marketing digjital dhe teknologjitë moderne të bazuara në inteligjencën artificiale”, tha Durmishi.

Ai theksoi se të gjitha këto trajnime do të mundësojnë rikualifikimin, kualiikimin plotësues e të gjithë atyre që duan të përvetësojnë, por edhe të avancojnë shkathtësitë e tyre në mënyrë që të rrisin konkurrentësinë e tyre dhe integrimin më të shpejtë në tregun e punës dhe përfshirjen në tendencat e reja siç janë digjitalizimi i vendeve të punës, meqë vetëm në këtë mënyrë, duke investuar në zhvillimin e shkathtësive digjitale, do të hapim vende të reja të punës.

Çfarë rregullon ligji për marrëdhënie të punës?

Qëllimi i ligjit është përfshirja e punëtorëve në procesin e punës si dhe sigurimi i zhvillimit të harmonizuar të këtij procesi, me çrast respektohet e drejta e punëtorëve për lirinë e punës, dinjitetin dhe mbrojtjen e interesave të punëtorëve në marrëdhënien e punës.

Në dispozitën e përgjithshme të këtij ligji në nenin 1 thuhet: Me këtë ligj rregullohen marrëdhëniet e punës ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve, që themelohen me lidhjen e marrëveshjes për punësim. Marrëdhënia e punës rregullohet me këtë dhe me ligj tjetër, me marrëveshjen kolektive dhe marrëveshjen për punësim.

Ndërkaq, rregullimi i marrëdhënieve të punës përcaktohet me nenin 3 të këtij ligji i cili thotë: (1) Ky ligj i rregullon edhe marrëdhëniet e punës të punëtorëve të punësuar në organet e pushtetit shtetëror, organet e njësive të vetadministrimit lokal, institucionet, ndërmarrjet publike, entet, fondet, organizatat dhe të personave të tjerë fizikë e juridikë të cilët punësojnë punëtorë, nëse me ligj tjetër nuk është rregulluar ndryshe. (2) Marrëdhënia e punës mund të shuhet vetëm në mënyrë dhe kushte të përcaktuara me ligj dhe me marrëveshje kolektive. (3) Në marrëdhënien e punës secila palë obligohet ti plotësojë të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e përcaktuara dhe të kontraktuara.

Megjithatë, siguria dhe shëndeti gjatë punës (SSHP) paraqet një prej rregullave themelore të punëtorëve, që është përcaktuar si e tillë në kuadër të konventave të Organizatës ndërkombëtare të punës, në legjislaturën e Bashkimit Evropian, Deklaratën sociale Evropiane të Këshillit të Evropës, kurse e njëjta është garantuar si e drejtë edhe me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sfera e sigurisë dhe shëndetit gjatë punës, si e jashtëzakonshme dhe komplekse dhe para se gjithash edhe sferë multi-sektoriale dhe multi disiplinore, është e rregulluar me një numër të madh të akteve ligjore dhe nënligjore, kurse për zbatimin dhe implementimin e tyre është e domosdoshme të ketë koordinim, komunikim dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe organeve të ndryshme, partnerëve social si dhe subjekte tjera relevante. Kështu thuhet në Ministrinë për punë dhe politikë sociale, që në fakt praktika nuk përputhet në tërësi me këtë që thuhet në teori dhe në letër. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More