Pas heshtjes së gjatë, zyrtarët e komunës Crans-Montana në alpet e Zvicrës kanë pranuar të martën në një konferencë për media se kontrolli i fundit i mbrojtjes nga zjarri në barin “Le Constellation” ishte kryer në vitin 2019.
Natën e vitit të ri në këtë bar shpërtheu një zjarr me ç’rast vdiqën 40 persona, 116 pësuan lëndime të rënda.
Shumica e viktimave janë të rinj. 22 viktima (të moshës 14 deri në 31 vjeç) ishin nga Zvicra.
Përveç kësaj, humbën jetën tetë francezë (14 deri në 39 vjeç), gjashtë italianë (15 dhe 16 vjeç), një turk (18), një portugeze (22), një rumun (18) dhe një belg (17).
Pas analizimit të dokumentacionit administrativ të dekadave të fundit është konstatuar se mes viteve 2020 dhe 2025, lokali mbeti pa kontrolle periodike, ndonëse bizneset duhet të kontrollohen çdo vit.
Sipas mediave zvicerane, pritet që një zyrë e pavarur dhe e specializuar të kontrollojë të gjitha bizneset publike të komunës Crans-Montana, përfshirë edhe materialet e përdorura, me qëllim që të identifikohen shpejt defektet e sigurisë dhe të garantohen inspektime pa ndërprerje në të ardhmen.
Përveç kësaj, komuna ka ndaluar përdorimin e çfarëdo mjeti piroteknik në ambiente të mbyllura në territorin e saj.
Në raportet e zyrtarëve komunalë të sigurisë ishte përcaktuar një kapacitet maksimal prej 100 personash për ambientet në katin përdhes, si dhe 100 personash për katin nëntokësor.
Mirëpo, pronarët e barit “Le Constellation” duket se kanë përhapur shifra të tjera: ata kishin shkruar në internet se bari kishte vend për 400 persona.