Zv/ministrja Sadiku sqaron statusin e shpërblimit për karateistin Berat Jakupi

nga D. V.

Shkup, 11 qershor – Në vazhdën e diskutimeve publike rreth përfitimeve institucionale të karateistit të mirënjohur Berat Jakupi, Zëvendësministrja e Sportit, Safije Sadiku, ka reaguar sot me një sqarim zyrtar lidhur me statusin e shpërblimeve të tij.

Sipas znj. Sadiku, Jakupi nuk është përfitues i një pensioni të përhershëm klasik, siç janë disa sportistë të dekoruar me medalje olimpike apo tituj botërorë në disiplina të veçanta. Megjithatë, ajo theksoi se ky fakt nuk do të thotë që ai është neglizhuar nga institucionet.

“Për arritjen e tij në Kampionatin Botëror Universitar, ai është shpërblyer në bazë të vendimeve ligjore me një kompensim mujor (stipendi) në vlerë bruto sa dy paga mesatare në muaj,” – thuhet në deklaratën e saj.

Sipas dokumentacionit zyrtar, Berat Jakupi aktualisht përfiton 82.478 denarë në muaj, për një periudhë katërvjeçare, në përputhje me aktet dhe vendimet që rregullojnë këtë kategori shpërblimesh.

Zëvendësministrja nënvizoi se vlerësimi i sportistëve bëhet mbi bazën e kritereve ligjore, jo perceptimeve individuale. Ajo siguroi se institucionet janë të përkushtuara për të garantuar transparencë dhe drejtësi për çdo sportist, sipas rezultateve të arritura.

“Berat Jakupi mbetet një nga emrat e respektuar të sportit tonë, dhe si i tillë, është vlerësuar institucionalisht dhe do të vazhdojë të ketë përkrahjen e merituar,” – u shpreh Sadiku.

Ajo gjithashtu shtoi se dokumentet zyrtare që konfirmojnë përfitimet mujore të z. Jakupi janë në dispozicion të publikut dhe mediave, si dëshmi e qasjes transparente të Ministrisë së Kulturës dhe Sportit. (INA)

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More