Shkup, 6 qershor – Një muaj pas organizimit të protestave të 1- majit ende nuk dihet se çfarë do të ndodh me kërkesën e sindikalistëve për të rritur pagën minimale në 500 euro. Kryetari i LSM-së Sllobodan Trendafillov për TVM – 2 thotë se deri në këto momente nuk është hedhur asnjë hap konkret drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje edhe pse më herët, ata ua dorëzuan deputetëve propozimin e tyre për pagën minimale, ku parashihet, rritje e saj prej 6.000 denarësh dhe po aq në mënyrë lineare të rriten edhe të gjitha pagat tjera në sektorin publik dhe privat. Përmes mediave janë të informuar se partia “E -Majta” do të inicojë ndryshime ligjore, përmes së cilës paga minimale do të rritet në 30.000 denarë. Shpresojnë se e njëjta do të pranohet nga deputetët sa më parë.
“LSM gjatë kësaj periudhe ishte sindikata e vetme e cila në kontinuitet kërkonte rritje të pagës minimale në 500 euro. Ne njëherit u dorëzuam edhe kërkesë deputetëve që pr/ligjin për ndryshim dhe plotësim të pagës minimale t’ia dorëzojnë Kuvendit, por për fat të keq prej 1 majit, e deri më sot, nuk pamë që dikush prej tyre seriozisht të merret me këtë çështje, respektivisht të pranojë kërkesën tonë. Vetëm jemi të informuar së fundmi se për momentin ka të dorëzuar një propozim për ndryshime dhe plotësime dhe vlerësojmë se ai duhet të pranohet”, u shpreh kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov.
Daenovski: Mesa duket rritja do të presë
Pa dashur të jetë as pesimistë e as optmistë ndaj kësaj iniciative, por gjithmonë duke tentuar të jetë realist, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës së Organeve Gjyqësor dhe Shoqatave të Qytetarëve Tërpe Deanovski, nuk shpreson shumë se e njëjta do të pranohet nga të zgjedhurit në Shtëpinë Ligjvënëse. Mendon se kjo rritja akoma do të presë, pasi që asnjë oferët që kanë parashtruar ata për ta arritur rritjen dhe t’i minimizojë implikimet finansiare ndaj buxhetit apo sektorit privat, nuk është pranuar me sinqeritet, thotë ai.
“Mendojë se nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë të kërkesës sonë, pasi që vlerësojmë se atë që e kërkojmë ne për momentin Qeverisë nuk i konvenon, dhe nuk e kemi të qartë pse, pasi që ne u kemi ofruar disa opsione, duke filluar edhe me subvencionime dhe ndihmë ndaj sektorit privat, pasi që ndoshta ai do të jetë më i goditur me rritjen eventuale. Por nga ana tjetër duhet të dihet se rrogat në sektorin privat janë mbi 30 mijë denarë. Me rritjen eventuale të pagës minimale më së shumti do të përfitojnë të punësuarit në sektorin publik, të cilët akoma kanë paga nën 30 mijë denarëve, që realisht ata janë më të afërt me pagën aktuale minimale se sa me pagën mesatare në vend”, theksoi kryetari i sindikatës së PAOGJSHQ-së, Tërpe Deanovski.
Sindikalistët kërkesën për rritjen e së paku 6.000 denarësh të pagës miniamle, e arsyetojnë me rritjen e shpenzimeve të jetesës, duke thënë qartazi se një pjesë e punëtorëve në vend, janë në prag të ekzistencës dhe mbijetesës me pagën aktuale minimale që marrin në vlerë prej 24.400 denarësh.
Qendrimi i ekzekutivit ndaj kësaj është se çdo gjë do të ishte e pranueshme për Qeverinë në rast se sindikalistët dhe punëdhënësit dakordohen dhe arrijnë marrëveshje.