Shkup, 24 qershor – Natyrisht që ndryshimi i pushtetit nuk i paraprinë vetëm ndryshimit të figurave domosdo duhet të vërehet edhe ndryshim në funksionim. Në një shoqëri ku përfaqësimi i drejtë dhe përfshirja e barabartë në administratën publike ka qenë shpesh më shumë aspiratë sesa realitet, qeverisja e re e udhëhequr nga koalicioni VLEN po dëshmon se ndryshimi i shumëpritur mund të ndodhë dhe madje me hapa konkretë e të shpejtë. Ajo çfarë për vite me radhë është përdorur si slogan elektoral, sot po shndërrohet në politika të prekshme dhe në rezultate të matshme, shkruan Zhurnal.
Kush po shkakton revolucion në administratën publike?
Që në muajt e parë të qeverisjes, VLEN si përfaqësues të shqioptarëve në pushtet ka ndërmarrë një ofensivë reformuese në administratën shtetërore, me theks të veçantë në barazinë e kuadrove shqiptare. Më shumë se çdo fjalë, janë faktet që flasin në institucion pas institucioni, po ndodh një korrigjim i padrejtësive të trashëguara dhe po krijohen mundësi reale për përfaqësim dinjitoz. Kjo në fakt është ajo për të cilën kanë besuar dhe pasur nevojë qytetarët.
Në Qendrën për Menaxhim me Kriza, për shembull, vetëm tre javë pas emërimit të drejtorit të ri Muhamed Aliu, janë avancuar katër punonjës shqiptarë me mbi dy dekada përvojë. Këto avancime nuk janë vetëm shpërblim për punën e ndershme të të kaluarës, por edhe sinjal për një qasje të re një administratë që e vlerëson ekspertizën dhe meritën, jo përkatësinë partiake.
E njëjta filozofi po zbatohet edhe në ndërmarrjet publike si EMV – Furnizim me Ngrohje dhe EM – HEC Treska. Drejtori Ali Ismaili ka bërë hapa konkretë për fuqizimin e kuadrove shqiptare përmes punësimeve dhe promovimeve në pozita udhëheqëse, ndërsa në HEC Treska janë nënshkruar kontrata të përhershme me shtatë punonjës të rinj shqiptarë, duke reflektuar një vizion afatgjatë për përfshirjen e të rinjve në tregun e punës.
Nëse i krahasojmë këto zhvillime me të dhënat e dekadës së kaluar, përmasat e ndryshimit bëhen edhe më të qarta. Vetëm gjatë 10 muajve të fundit, janë realizuar shtatë punësime të reja të shqiptarëve në një ndërmarrje të vetme. Ndërkohë, për 22 vite me radhë, ish-partnerët e qeverisë kishin arritur një shifër totale prej vetëm 17 punësimesh në të njëjtin sektor. Kjo jo vetëm që tregon mungesën e vullnetit të mëparshëm politik, por edhe sinjalizon fillimin e një epoke të re, ku përfshirja nuk është privilegj, por e drejtë.
Nga VLEN thonë se qasja e tyre është ndërtuar mbi tri shtylla thelbësore si transparencë, efikasitet dhe meritokraci. Që në fakt ky trinom përbën themelin e një administrate të shëndetshme, e cila nuk i nënshtrohet interesave të ngushta politike, por punon për interesin publik dhe për barazinë e të gjithë qytetarëve, pa dallim etnik apo partiak.
Përfaqësuesit e VLEN theksojnë se kjo është vetëm faza e parë e një reforme më të thellë, e cila do të përfshijë të gjitha institucionet shtetërore. Objektivi i tyre është i qartë kthimi i besimit të qytetarëve në institucionet publike dhe ndërtimi i një administrate profesionale, funksionale dhe gjithëpërfshirëse.
Kjo qasje e re është një sfidë ndaj praktikave të vjetra dhe një shpresë për gjeneratat e reja që kërkojnë mundësi reale në vendin e tyre. Për herë të parë pas shumë kohësh, qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po ndihen të përfaqësuar, jo vetëm simbolikisht, por edhe realisht në pozita me peshë vendimmarrëse.
Në një kohë kur shpesh dominon skepticizmi dhe zhgënjimi ndaj politikës, qeverisja e VLEN po dëshmon se angazhimi politik mund të sjellë transformime të prekshme, kur ka vullnet, vizion dhe guxim për t’u përballur me status quo-në. Ky është fillimi i një administrate të re ku shërbimi ndaj qytetarit, barazia dhe profesionalizmi nuk janë fjalë të bukura, por standarde të domosdoshme të qeverisjes moderne. /Zhurnal.mk