Shkup, 1 korrik – Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike (BSP) Aleksandar Janev sot realizoi një takim konstruktiv me gjeneralin Arunas Paulauskas, komisionerin e përgjithshëm të policisë lituaneze dhe Gintare Gajmanaite, udhëheqësin e grupit për bashkëpunim ndërkombëtar, të cilët janë pjesë e delegacionit lituanez që është në vizitë të vendit tonë.
Ministria e Punëve të Brendshme kumtoi se në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në drejtim të sfidave të përbashkëta të sigurisë, siç është lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.
“Bashkëpunimi me policinë lituaneze bazohet në marrëveshjen ekzistuese dypalëshe, e cila mbulon një spektër të gjerë fushash, ndër të cilat parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, trafikimin e drogës, krimin kibernetik, pastrimin e parave, korrupsionin, falsifikimin, krimin ekonomik, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe trafikimin e substancave të rrezikshme. Theks të veçantë vendosëm në shkëmbimin e informacionit, bashkërendimin e masave policore, mbrojtjen e dëshmitarëve, shkëmbimin e njohurive të ekspertëve dhe mundësinë e dërgimit të oficerëve për lidhje, me të vetmin qëllim trajtimin efektiv të krimit ndërkufitar”, theksoi drejtori Janev në takim.
Në fokus të takimit ishte edhe shkëmbimi i praktikave pozitive nga procesi i digjitalizimit, i cili është me rëndësi thelbësore si një mjet në kryerjen e detyrave të përditshme të punës.