Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot lidhur me prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth.
Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se, “një terror dhe krim i shëmtuar po ushtrohet mbi banorët dhe turistët e Thethit”.
“Në një akt, do të thosha kriminal, Edi Rama në mesin e sezonit turistik ka gjetur hakmarrjen ndaj Thethit për t’ia larguar edhe ata turistë që i shkojnë si burimi i vetëm i të ardhurave për atë komunitet”, u shpreh kreu i PD.
“Asnjë pëllëmbë nuk është “tokë e xanun”, çdo pëllëmbë tokë e atyre fshatarëve është tokë e trashëguar brez pas brezi. Në rast se ata vërtet në moszbatim të ligjeve, në tokë të tyre kanë vendosur kabina apo kontejnerë, sigurisht ata kanë bërë një shkelje, por jo të ligjit për urbanistikën, sepse ai ligj ndërtimet pa themel nuk i konsideron ndërtime pa leje. I konsideron ndërtime me vetëdeklarim”, tha Berisha.
Por, shtoi ai, “cilado të ishte situata e tyre, në kulmin e sezonit turistik kanë ardhur të tjerët nga Australia, Gjermania, Izraeli, Egjipti, Franca, Italia. Kanë prenotuar pushimet dhe ky del dhe u dërgon aty banda me uniformë për t’ia çmontuar kabinat apo çfarë janë ato, dhe për të zhvilluar një betejë ku banorë dhe turistë janë bërë së bashku”.
“Po në qoftë se aty janë bërë shkelje, ta zëmë, atëherë çdo shtet çon njoftimin e konstatimit dhe nuk ka shtet në botë që ndërhyn në mes të sezonit. Ata kanë kontrata, ata kanë prenotime, ata kanë njoftime. Prit të bjerë sezoni dhe vepro”, tha kreu i PD.
“Dhe ju njoftoj se në dallim nga zonat e tjera turistike të vendit, Thethi dhe Valbona, 90 për qind të turistëve i kanë të huaj”, u shpreh Berisha.