Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot në një dalje për mediet se, “e gjithë Europa e lirë dhe demokratike, foli sot qartë, prerë dhe shqip se “Zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri nuk ishin as të ndershme, as të lira, dhe as demokratike””.
Blushi tha se përpjekjet “për të paraqitur farsën dhe terrorin elektorale të 11 majit si një proces demokratik, më në fund iu dha një shuplakë e fortë nga institucioni më autoritar i kontinentit: Parlamenti Europian”.
“Michael Gahler e tha troç: “Zgjedhjet nuk ishin të barabarta dhe qeveria abuzoi””.
David McAllister i vendosi vulën: “Zgjedhjet nuk ishin të ndershme.”
Kovatchev e zhbëri propagandën: “Nuk ka ndarje pushtetesh dhe nuk ka zbatim të shtetit të së drejtës””, vijoi Blushi.
Sipas tij, “këto nuk janë thjesht opinione. Janë aktakuza të rënda ndërkombëtare ndaj një regjimi që ka uzurpuar shtetin, ka përdhosur çdo standard të zgjedhjeve të lira, ka kontrolluar votën me patronazhimin, kërcënimin dhe blerjen e saj, me presionin ndaj administratës, keqpërdorimin e aseteve shtetërore dhe përdorimin kriminal të burimeve publike, pa harruar angazhimin masiv të bandave dhe karteleve më të rrezikshme”.
Blushi theksoi se, “11 Maji ishte një ditë terrori elektoral, që faktoi vrasjen e votës së lirë pa hyrë në kuti. Një operacion banditesk shtetëror që faktoi edhe asgjësimin e të gjitha institucioneve garante për standardet e zgjedhjeve”, tha Blushi.