Shkarkohet kupola drejtuese e policisë në Shkodër, shkak ndërtimet pa leje

nga D. V.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Policisë së Shkodrës, Fatmir Lleshi, dhe shefin e Komisariatit të këtij qyteti, Nik Nikolli. Ndërkohë që është pezulluar edhe shefi i Stacionit të Policisë në Theth.

Lajmi u bë publik nga vetë kreu i Policisë së Shtetit, i cili theksoi se shkarkimet lidhen me zaptimin e hapësirave publike në zonën e Thethit dhe mosveprimin e strukturave vendore për t’i parandaluar ato.

“Drejtuesit e policisë në Shkodër nuk kanë zbatuar detyrën dhe kanë lejuar ndërtimet pa leje. Do të mbajnë përgjegjësi nëse mbajnë sytë mbyllur dhe nuk e konstatojnë vetë, para se ta konstatojmë ne apo i gjithë komuniteti. Çdo rast neglizhimi të denoncohet menjëherë në Policinë e Shtetit”, deklaroi Proda.

Ai shtoi se lirimi i hapësirave publike do të jetë një nga prioritetet kryesore të policisë në ditët, javët dhe muajt në vijim.

“Hapësirat publike u përkasin qytetarëve dhe komunitetit, e askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë. Do të ketë kontroll të përditshëm dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo neglizhencë nga strukturat që kanë detyrë të parandalojnë e të godasin këto paligjshmëri, pa pritur që problematika të bëhet e patolerueshme si në rastin e Thethit”, theksoi kreu i Policisë së Shtetit.

Në vend të drejtorit të Policisë së Shkodrës është emëruar Gentian Berberi, i cili më herët ka mbajtur postin e drejtorit të Policisë në Kukës. Ndërsa në vend të tij, në krye të Policisë së Kukësit, është komanduar Loard Sallaku, ish-shef i Komisariatit nr. 2. /euronewsalbania/

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More