Shkup, 17 korrik – Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ofron mbështetjen më të madhe deri më tani për rinovimin ekologjik dhe infrastrukturor në nivel lokal.
Sot, siç thuhet në kumtesën e Ministrisë, u nënshkruan marrëveshje përmes të cilave 51 komunave do t’u ndahen rreth 2.5 miliardë denarë për realizimin e 143 projekteve infrastrukturore në fushën e furnizimit me ujë, kanalizimit, mbrojtjes nga reshjet atmosferike dhe rregullimit të shtretërve të lumenjve.
“Këto janë investime në dinjitetin e qytetarëve dhe përgjegjësinë ndaj natyrës. Për herë të parë investojmë në një front kaq të gjerë, në të gjitha pjesët e shtetit. Qytetarët duhet të ndiejnë se institucionet punojnë për ta, se ndryshimi është i dukshëm dhe se e ardhmja ia vlen,” deklaroi zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
Me këto mjete, thuhet në kumtesë, do të ndërtohen ose rinovohen: stacione për pastrimin e ujërave, rrjete kanalizimi fekal dhe atmosferik, rrjete ujësjellësi dhe rezervuarë, sisteme SCADA dhe GIS për monitorim dhe menaxhim, sisteme për largimin e ujërave të zeza dhe pajisje urbane për menaxhimin e mbeturinave.
Kjo është mbështetja më e gjerë që Ministria e ka realizuar ndonjëherë përmes ndarjes së mjeteve kapitale për komunat, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës, parandalimin e përmbytjeve, ndotjes dhe mundësimin e planifikimit të qëndrueshëm në zonat urbane dhe rurale.