Shkup, 1 gusht – Pas procedurës së kryer hetimore, Prokuroria themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit sot ngriti aktakuzë kundër gjashtë personave, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se si grup kriminal, i organizuar nga i dyshuari i parë, kanë kryer krime kundër financave publike, transaksioneve të pagesave dhe ekonomisë. Pesë persona akuzohen për veprën penale “falsifikim parash”, ndërsa i pandehuri i parë dhe një person tjetër akuzohen gjithashtu për veprën penale “prodhim, marrje ose asgjësim mjetesh për falsifikim”, njoftoi sot pasdite Prokuroria publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Nga fundi i vitit 2023 deri në shkurt të vitit 2025, i akuzuari i parë në territorin e Maqedonisë dhe Serbisë krijoi një grup, në të cilin u bënë anëtarë të a ekuzuarit e tjerë – shtetas të Maqedonisë dhe gjashtë shtetas serbë për të cilët po zhvillohet procedurë në Republikën e Serbisë. I akuzuari i parë bleu dhe mbajti në mënyrë të paautorizuar pajisje dhe materiale për prodhimin e kartëmonedhave të falsifikuara – euro në prerje prej 20, 50, 100 dhe 200 euro, të cilat anëtarët e grupit ua shpërndanin blerësve të interesuar në Republikën e Serbisë me një çmim prej 25-30 për qind të vlerës nominale të kartëmonedhave të vërteta. I akuzuari i gjashtë prodhoi në mënyrë të paautorizuar makina dhe pjesë për prodhimin e parave të falsifikuara dhe të njejtat i ka mirëmbajtur. Nga qershori i vitit 2024 deri në janar të vitit 2025, grupi shiti 114,150 euro të falsifikuara për 42,400 euro, sqarohet në deklaratë.
Në aktakuzë, Prokuroria kërkon edhe vazhdim të masës së paraburgimit.