Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ish kryeministri thotë se “kjo cënon sigurinë kombëtare”, pasi sipas, tij “i heq ushtrisë pikat strategjike që duhet të ketë për të përmbushur misionin e saj”.
“Rama do të fusë ushtrinë nën administratën e tij për të grabitur pronat ushtarake. Kjo cënon sigurinë kombëtare sepse i heq ushtrisë pikat strategjike që duhet të ketë për të përmbushur misionin e saj”, shkruan Sali Berisha.
Ndërkohë sot Berisha në një konferencë me gazetarët tha se në rastin e News24, u keqpërdorën forcat e armatosura.
“Fusha e veprimit mes forcave të armatosura është një ndarje midis shefit të shtabit të përgjithshëm, presidentit të Republikës dhe kryeministrit. Në qoftë se ti merr dhe i fut këto dinakërisht në ligjin për administratën shtetërore, por që kanë për zot kryeministrin e vendit, ti faktikisht asgjëson këto si institucione kushtetuese dhe merr atribute që Kushtetuta nuk t’i njeh, por që ky nuk e ka për gjë që të marrë policinë ushtarake dhe ta çojë të bllokojë një televizion në një akt antikushtetues. Në një keqpërdorim absolut antikushtetues të forcave të armatosura. Por ka një president që për bëmat e tij dhe gjëmat e tij është i paqenë”, tha Berisha gjatë mesditës.
