Visar Ademi: “Koalicioni im është vetëm me qytetarët e Gostivarit”

nga D. V.

Gostivar, 16 shtator – Të shtunën e kaluar partitë politike dorëzuan listat dhe kandidatët e tyre në komisionin zgjedhor. Të gjitha partitë e mëdha do të garojnë për këshillin, por për kryetar komune do të ketë vetëm katër kandidatë. Tre prej tyre përfaqësojnë partitë politke– njëri prej tyre, kandidati i Aleancës së Arben Taravarit, papritur u bë edhe kandidat i dikurshmit “kundërshtarit” të Aleancës, BDI-së, gjë që, e kuptoj plotësisht, irriton shumë njerëz.

Por kjo është politikë – nuk ka të bëjë me bindje, nuk ka të bëjë me parime dhe, për fat të keq, nuk ka të bëjë as me Gostivarin e as me qytetarët e tij. Ka të bëjë me pushtet, para dhe pozita.

Ndërsa për partitë ka rëndësi vetëm kush e fiton Gostivarin në këto zgjedhje, unë kujdesem për mënyrën se si fiton Gostivari, si fitojnë qytetarët e Gostivarit në këto zgjedhje. Dhe kjo, duke i ditur sfidat e mëdha me të cilat përballet komuna jonë, mund të arrihet vetëm nëse i bashkojmë forcat të gjithë bashkë – të gjitha forcat politike, shoqërinë civile dhe qytetarët.

Si kryetar i pavarur do t’i ftoj të gjithë bartësit e listave për biseda të hapura e transparente se si mund t’i zgjidhim problemet e Gostivarit së bashku. Pres mbështetje dhe përpjekje të përbashkëta nga këshilli, një bashkëpunim në nivel të barabartë, të bazuar në një plan pune të detajuar dhe të dakorduar për Gostivarin. Besoj se mund të dakordohemi për një kornizë të tillë, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet më të rëndësishme që na preokupojnë.

Dhe i ftoj që sot të gjitha partitë të bien dakord për një memorandum mirëkuptimi se si do t’i zgjidhim bashkë tre çështjet më urgjente:

Ta pastrojmë Gostivarin nga korrupsioni
Ta pastrojmë Gostivarin nga mbeturinat
Ta pastrojmë Gostivarin nga qentë endacakë

I sfidoj të gjithë bartësit e listave, sepse ata do të jenë ata që do t’i udhëheqin partitë e tyre në këshill:

Ta pastrojmë Gostivarin! Le të takohemi dhe të biem dakord që tani se si do ta çojmë Gostivarin drejt një të ardhmeje më të mirë – me idetë e mia, me idetë tuaja, me idetë e qytetarëve. Le të lëmë mënjanë retorikat zgjedhore, le t’i bëjmë këto zgjedhje për atë se si mund të bëjmë më mirë për Gostivarin.

Unë kam planin, por dua mbështetjen tuaj. Synoj bashkëpunim dhe konsensus kur bëhet fjalë për çështjet që prekin më së shumti qytetarët tanë. Por nuk është vetëm mbështetja juaj ajo që ka rëndësi dhe nuk është as më e rëndësishmja. Sepse si kryetar i pavarur unë do të përfaqësoj qytetarët dhe ata do të kenë fuqinë e vërtetë: për çështje të rëndësishme, unë do t’i pyes qytetarët dhe do të organizoj referendume. Pra, janë qytetarët e Gostivarit ata që do të kenë fjalën e fundit – nuk do të lejoj më që taktikat partiake të sabotojnë zhvillimin e komunës sonë.

Dhe janë gjithashtu qytetarët e Gostivarit ata që do të kenë fjalën e fundit në këto zgjedhje më 19 tetor. Pa marrë parasysh nëse votoni për Valdetin dhe listën e BDI-së e Arbenit, ose nëse votoni për Bashkimin dhe listën e tij, nëse votoni për VMRO ose për LSDM. Pa marrë parasysh nëse votoni për partitë turke apo rome. Edhe nëse nuk doni të votoni për asnjërin prej tyre.

Ashtu siç ftoj anëtarët e këshillit të mbështesin politikat e mia në detyrë, ju ftoj të gjithëve të më mbështesni si kryetar i pavarur, që nuk përfaqëson asnjë parti, por të gjithë qytetarët e Gostivarit. Sepse kryetari zgjidhet nga qytetarët, dhe jo nga partitë.

Bashkëpunimi im do të jetë me të gjitha partitë, por koalicioni im do të jetë vetëm me qytetarët.

Ta pastrojmë Gostivarin!

Ju falimenderit!

Kandidati për Kryetar të Komunës së Gostivarit Visar Ademi

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More