Ja çfarë deklaroi Policia mbi mënyrën e ndalimit të Ilir Metës – Sqarimi i parë zyrtar pas debatit publik
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka dhënë reagimin e parë zyrtar lidhur me mënyrën se si u ndalua Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të opozitës, Klevis Balliu.
Balliu u shpreh në sallën e Kuvendit se ndalimi i Metës ishte i tepruar dhe i trajtuar si rast ekstrem, ndërsa sipas tij, grupet e rrezikshme trajtohen ndryshe.
Në përgjigje, Proda tha se rasti është tashmë pjesë e hetimit, por pranoi se gjatë procedurës është përdorur forcë. Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak të rezistencës së bërë në momentin e ndalimit.
“Çështja është nën hetim. Nuk kemi të bëjmë me një veprim arbitrar, por me përdorimin e forcës në rastet kur ka kundërshtim ndaj procedurës. Në situata të tilla policia përdor vetëm forcën e nevojshme dhe të arsyeshme. Besoj se ka qenë proporcionale me rrethanat,” deklaroi Proda.
Ai shtoi se çdo person duhet të bashkëpunojë me organet e rendit, pavarësisht funksionit që ka mbajtur më parë. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.